Transmetuar më 07-08-2013, 13:25

Tiranë, 7 gusht 2013, NOA.al-Kryebashkiaku Lulzim Basha ka marrë pjesë në nisjen e punimeve për rindërtimin e kopshtit nr.14 në kryeqytet, nga ku deklaroi se çdo ditë po përmbushen angazhimet në shërbim të qytetarëve.

Kopshti i ri do jetë me 2 kate dhe do u shërbejë 120 fëmijëve, të ndarë në 6 grupe. Në këtë kopsht parashikohet ndërtimi i ambienteve të veçanta të lojës dhe fjetjes, dhomë zhveshje, dhomë mjeku dhe psikologu, kuzhinë, etj.

Kryebashkiaku Basha ka bërë të ditur se ky kopsht do t’u vihet në shërbim fëmijëve të Laprakës, brenda 10 muajsh.

“Ky është një ndër investimet e planifikuara nga Bashkia e Tiranës, në fushën e kopshteve dhe çerdheve, për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve të kryeqytetit dhe prindërve të tyre. Kam kënaqësinë ta shoh sot për herë të fundit këtë ndërtesë të vjetër dhe të amortizuar e cila do të prishet, për t’i lënë vend kësaj hapësire të re të cilën Bashkia e Tiranës po investon me buxhetin e vet, për të realizuar kështu një nga objektivat e buxhetit, në raport me njësinë nr.11 dhe banorët e saj e për të avancuar më tej me objektivin e saj madhor, ofrimin e shërbimit të kopshteve dhe çerdheve anembanë qytetit të Tiranës, për të gjithë fëmijët dhe prindërit që kanë nevojë apo dëshirë të përdorin këtë shërbim”, theksoi Basha.

Në vijim ai shtoi se investimet po vazhdojnë edhe në zona të tjera të qytetit, në kopshte, çerdhe, shkolla e natyrisht në infrastrukturën parësore të qytetit, kanalizime, ujësjellës e rrugë. /a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit