

Tiranë, 7 gusht 2013, NOA.al- Policia Bashkiake ka vijuar aksionin për lirimin e hapësirave publike në zonën e “Don Boskos”. Tregtarët ambulantë por dhe subjektet që operojnë përgjatë rrugës zënë vazhdimisht trotuaret, duke vështirësuar qarkullimin e banorëve. Pavarësisht ndërhyrjeve të herë pas hershme të Policisë, tregtarët vazhdojnë të tregtojnë në trotuare duke zënë hapësirat publike.
Drejtori i Policisë Bashkiake Vullnet Topalli ka deklaruar se për çdo rast të përsëritur të zënies së hapësirave publike do të bëhet sekuestrimi i produkteve.
“U bëj thirrje edhe njëherë, duke shfrytëzuar edhe mediat që çdo person që merr përsipër të tregtojë në mënyrë të paligjshme, të mos tregtojë në këto rrugica, të mos tregtojë nëpër trotuare, por në tregjet e përcaktuara. Në të gjithë rastet, edhe për rastet që sot ne kemi konstatuar, të përsëritura u kemi konfiskuar edhe mallin e tyre, përveçse gjobave apo masave administrative që kemi marrë ndaj subjekteve të tjera që nuk janë raste të përsëritura. Gjatë gjithë rrugës nga fillimi deri në fund të rrugës “Don Bosko” do të lirohen të gjithë hapësirat e trotuareve dhe po kështu do vazhdojmë edhe në rrugicat e tjera të Tiranës apo në minibashkitë e tjera”, u shpreh Topalli. /a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





