Transmetuar më 06-08-2013, 18:12

Tiranë, 6 gusht 2013, NOA – Partia Demokratike reagoi sot për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duke e cilësuar zhvillimin e tyre si arritje të standardeve. Në deklaratën e bërë për mediat, zëdhënësja e PD, Laura Vorbsi u ndal dhe në qëndrimet e PS ndaj KQZ dhe procesit zgjedhor, duke e akuzuar atë për dëmtim të procesit.

“Me vendimin e sotëm formal të votuar nga katër anëtarë, KQZ përmbylli një proces zgjedhor i cili shënoi arritje, në lidhje me standardet e organizimit, dëshmoi vullnetin pozitiv të mazhorancës për organizimin e zgjedhjeve sipas standardeve, përkundrejt minimit që PS i bëri procesit, duke tërhequr anëtarët nga KQZ. Vendimi i sotëm dhe vullneti i dëshmuar i PD dhe aleatëve të saj, për një proces të lirë dhe të ndershëm zgjedhor nuk mund ta shlyejë vulën e turpit, me vjedhjen e votave që u provua në sytë e publikut dhe vëzhguesve vendas e ndërkombëtarë”, tha Vorbsi.

Ajo u ndal në problemet e hasura me zgjedhjet në Lezhë, duke u shprehur se në këtë qark PS i vuri damkën e turpit fitores së saj. “Në Lezhë, PS tentoi t’i vidhte një mandat PD, që të arrinte shumicën e cilësuar me 84 vota, njësoj siç bëri me Dushkun, në 2001. Në Shkodër u zbuluan qindra vota të vjedhura nga koalicioni PS-LSI. Një transparencë e plotë, e bazuar në provat që disponohen, do tregonte qartë mënyrën se si Partia Socialiste tjetërsoi votën e qytetarëve, pas angazhimit për  fitore me çdo mjet, përfshirë përdorimin e  parave të pista dhe angazhimin e kontigjentëve kriminalë. Lezha i vuri damkën e turpit fitores së Partisë Socialiste, ashtu sikurse Dushku në 2001!”,- tha zëdhënësja e PD.

Gjithashtu, Vorpsi e cilësoi si të qëllimesh braktisjen e KQZ nga PS dhe zhvillimin e procesit në Kolegjin Zgjedhor. “Që nga fillimi, PS i shpalli luftë KQZ, organit më të lartë për organizimin e zgjedhjeve dhe këtë e bëri në mënyrë sistematike, të qëllimshme dhe antikushtetuese.  Qëllimi i PS ishte i  thjeshtë, të shndërronte në organ të vetëm për zgjedhjet Kolegjin Zgjedhor, të cilin siç edhe u dëshmua e kontrollonte lehtësisht”,- tha Vorpsi.

PD ka hedhur akuza dhe mbi Kolegjin, duke u shprehur se ky institucion kapitulloi para presioneve të PS. “Për fat të keq, Kolegji kapitulloi para presioneve çka u dëshmua publikisht përmes njëanësisë së tij, duke pranuar çdo kërkesë të bërë nga PS dhe LSI. Kolegji vendosi hapur dy standarde në gjykim, duke anuluar “de facto” kapituj të tërë të Kodit Zgjedhor me vendimet e tij dhe duke shkelur Kushtetutën, me vendimin për shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve”,- tha Vorpsi.

Në deklaratën e PD-së, thuhet se kjo forcë politike do të kërkoj transparencë dhe nxjerrjen para drejtësisë së shkelësve të ligjit për zgjedhjet. “Partia Demokratike është e vendosur për transparencën e shkeljeve dhe vënien para drejtësisë të përgjegjësve të këtyre shkeljeve. Pa këtë proces demokracia dhe shteti ligjor do të futen në një spirale të rrezikshme dhe me pasoja të rënda për fatet e vendit dhe të çdo qytetari Shqiptar!”,- u shpreh zëdhënësja e PD, Laura Vorpsi.

a.k/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit