Transmetuar më 06-08-2013, 17:52

Pak kohë më parë, ndërsa ishte në pikun e vet të opozitarizmit, kryeministrin e ri të vendit Edi Ramën shumëkush e kritikonte me të drejtë për një vanitet të tejzgjatur në diplomacinë e vet partiake. Madje në jo pak herë, përsëritshëm, u atakua për mungesën e një axhende dhe sidomos reduktim gati të frikshëm të itinerareve të veta në kryeqytetet e vendimmarrjes ndërkombëtare dhe ato të diplomacisë preventive për rajonin dhe më gjerë.

Nga Aleksandër Çipa

Në këtë gjendje ai dukej se krenohej vetëm me një afinitet të shpallur me kreun e Internacionales Socialiste, ish-kryeministrin e Greqisë, Jorgos Papandreun. Kritikat e atëhershme në fakt lidheshin edhe me faktin e kohëzgjatjes së të qenët në krye të opozitës së vendit. Në kohën e pragfushatës, zoti Rama duket se kreu një lëvizje të shumëpritur, duke u orientuar drejt një axhende të re të kontakteve dhe vizitave diplomatike me forca dhe vende ku lidershipi i majtë ka një ndikim potencial në rajon dhe sidomos në BE. Të tilla ishin takimet e shpeshtuara të tij në Bruksel dhe, mbi të gjitha, në Londër, vend i cili tashmë de facto, mund të konsiderohet si kryeqyteti ku është instaluar apo prenotuar asistenca jo vetëm diplomatike e politike e tij si kryeministër i Shqipërisë, por edhe një asistencë e posaçme për të rikompozuar diplomacinë zyrtare të Shqipërisë në vitin e parë të qeverisjes. Zëra nga Londra pranë mentorit të shpallur të zotit Rama, ish-kryeministrit Bler, flasin për një kohë fillimi të vështirë për qeverinë “Rama”, por që ka si ndihmëse edhe numrat e shumtë e të plotë në Parlament.(!)

Në këtë kontekst, kryeministri i ri Rama po realizon atë që në gjuhën e nëntekstit diplomatik e konsiderojnë: diplomacia parakryeministrore.

Kjo diplomaci paraprake, e zhvilluar në rrethana mes privates dhe zyrtares, në fakt është shumë e rëndësishme për të lexuar në kohë jo vetëm orientime të veçanta marrëdhëniesh dhe shkëmbimesh, që do të implementojë dhe ndjekë qeveria e re, por mbi të gjitha për të lexuar shpejt drejtimet preferenciale dhe partneritetet specifike, të cilat në gjuhën e kryeministrit të ri shënjohen si terma të lakmuara diplomatike: “partneri strategjik” dhe “një bashkëpunim me një intensitet të panjohur më parë”. Këta terma, kryeministri i ri ia adresoi takimit më të gjatë dhe natyrisht edhe më të shumëshfaqur mediatikisht, atij me Kryeministrin e Turqisë, zotin Erdogan. “Ne e konsiderojmë Turqinë një partner strategjik dhe kemi vlerësuar se ky partneritet ka një potencial të jashtëzakonshëm e të pashfrytëzuar dhe jemi të bindur se në katër vitet e ardhshme do të bëjmë të mundura gjëra që fatkeqësisht në të shkuarën nuk janë bërë dot të mundura”, u shpreh nga kryeqyteti i Turqisë, zoti Rama.

Vizita e tij në Turqi, e ndryshme nga ajo paraprirësja në Romë, ku gjithashtu u prit nga Kryeministri Letta, dukshëm mbart edhe një peshë specifike më të lartë. Natyrisht nevoja e sotme e zotit Rama në këtë bisedë të gjatë me homologun e tij (në shtator i tillë, pra kryeministër) për diplomaci ekonomike është lakuriqe. Ndërsa brendia e kontakteve, por dhe e fjalëshkëmbimeve me eksponentët e lartë vendimmarrës në Romë, dje, edhe në Athinë, duket se janë pjesë e hermetizmit bisedimor. Mirëpo kureshtja dhe këmbëngulja për dijeninë e mediave dhe qarqeve indombledhëse janë ende në fuqi e në kërkim të hollësive bashkëbisedimore të “kryeministrit tonë në shtator”.

Takimi një orësh në zyrën e kryeministrit grek Samaras, të cilin Kryeministria greke e konsideroi “privat”, padyshim është më i vështiri. Jo për shkak të perceptimit të deritanishëm të krijuar pas rrëzimit nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë së marrëveshjes detare mes dy vendeve, por më së shumti prej një kompleksiteti gjendjesh dhe situatash të krijuara mes dy vendeve dhe sidomos prej brendisë së krizës disavjeçare greke. Nevoja e qeverisë mikse të Athinës për një “ruajtje të ndikimit në Ballkan” në kushtet e një “rënieje të lirë” të ekonomisë së këtij vendi është sa me mundësi të kufizuara, aq edhe me alogjizëm ballkanik. Humnera ekonomike e këtij vendi dhe sidomos rrënimi i administratës greke vazhdojnë të errësojnë rrjedhimisht edhe shumë aspekte të bashkëjetesës sociale e etnike mes targeteve të ndryshme në të dyja vendet. Diplomacia zyrtare e të dyja vendeve ka pranuar ngrirjen e marrëdhënieve në kaq kohë. Qeveritë delikate të Athinës në këto pesë vjet nuk kanë pasur asnjë mundësi për të riparë apo ritrajtuar çështje kruciale të kësaj “ngrirjeje”, ndërkohë që në Shqipëri fragmentarizimi i përfaqësimit politik të minoritetit dhe të të ndjerëve të paktë shqiptarë si minoritarë, ka humbur aftësinë dhe ndoshta edhe ndërgjegjen për të nismuar kontribute të reja bashkëjetimi dhe integrimi. Në kësi gjendjeje, diplomacia zyrtare në Athinë ndaj diplomacisë së Tiranës, në gati tetë vjetët e fundit, ka konservuar dhe mbajtur “në ngrirje” një dosje të plotë të mosnjohurash dhe një tjetër dosje të shtuar refuzimesh dhe privimesh për emigrantët shqiptarë. Kjo problematikë e mavijosur në këtë kohë të shkuar ka për të qenë e tillë edhe për disa qeveri të ardhme të Greqisë, por natyrisht si megaproblem pritet t’i dhurohet edhe zotit Rama në shtator.

Pavarësisht raportimit empirik të mediave në të tria vendet ku kryeministri i ri i Shqipërisë ka kryer vizitat e para, perceptimi për një diplomaci parakryeministrore është i plotë. Vetëraportimi i pamjaftueshëm publik i zotit Rama për këto takime na bën me dije se me Turqinë interesi ekonomik është prioritar dhe shkëmbimet në sektorë të investimit strategjik, si në infrastrukturë dhe në atë energjetik, do të jenë kapituj të rinj të raportit turko-shqiptar. Ndërsa ritheksimi i bashkëpunimit në kuadër të NATO-s përmbledh një nëntekst politik më eksplicit.

Gjithsesi, ky itinerar i ri takimesh me kryeministrat më të rëndësishëm të rajonit ballkanik, është pjesë thelbësore e diplomacisë parakryeministrore të kryeministrit tonë të ri. Kjo është një lëvizje energjike dhe nismuese për të refuzuar kompleksin dhe përmbajtjen vetëpenguese të shfaqur prej tij gjatë kohës së të qenët kryeopozitar. Kjo diplomaci realizohet si parathënie për një qeverisje që përballet qysh në startin e vet me rrethana ekzistenciale financiare dhe ekonomike, por natyrisht e favorizuar prej mbështetjes politike dhe parlamentare. Diplomacia parakryeministrore natyrisht që i shton edhe diçka të re imazhit të vetë zotit Rama në kancelaritë e homologëve të tij për periudhën postshtator.

"Shqip"

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit