

Dy karakteristika të tjera që përmenden rreth ekipit qeveritar të Ramës kanë të bëjnë me afirmime civile, por nuk përbëjnë indikatorë për të matur cilësinë e kabinetit. Fakti që ka shumë gra ministre është herët të përkthehet në cilësi të qeverisjes, ndërsa fakti tjetër, që 75 për qind e ekipit (dhe jo 90 për qind) nuk kanë qenë kurrë ministra, është një pikë e dobët në momentin fillestar të një qeverie.
Nga Sami Neza
Qeveria e re e koalicionit të majtë nuk ka brenda listës së emrave lajm të papritur dhe ndonjë kthesë të fortë prej pritshmërive që janë ndërtuar përgjatë aksionit politik të opozitës vitet e fundit, por edhe axhendës së emrave që ka ndërtuar Rama gjatë këtyre viteve. Kryetari i PS e ka bërë të qartë vazhdimisht nëpërmjet vendimeve dhe preferencave se projeksionet e tij në qeverisje do të jenë brenda rrethit të bashkëpunëtorëve të ngushtë dhe të cilët janë komportuar pa kurrfarë rezerve me strategjinë e kryetarit të PS-së vitet e fundit. Të tillë janë ministrat si Tahiri, Veliaj, Gjermeni, Kodheli, Bushati, Ahmetaj, Nikolli, Gjiknuri. Vendimi i Kryesisë për ndarjen e mandatit të deputetit me atë të ministrit e ka ndihmuar mjaft Kryeministrin e ri për të frenuar ambiciet e protagonistëve tradicionalë të opozitës, siç janë Majko, Blushi, Braçe, Dade, Ulqini etj. Secili prej tyre do të pranonte më mirë që të ishte në politikën aktive në Parlament për katër vjet, sesa të rrezikonte në qeveri për një periudhë të ngushtë kohore. Duke qenë pjesë e kabinetit, ata ishin të detyruar të ishin edhe pjesë e kularit të Kryeministrit aq sa edhe e kurtheve të përditshme që sjell puna e një ministri nëse punët e qeverisjes nuk ecin mirë. Koalicioni e majtë e merr qeverinë në kushtet e ndikimit të krizës ekonomike europiane në Shqipëri, një borxh publik i lartë, ka rënie të konsumit e, si rrjedhim, edhe rënie të të ardhurave në buxhetin e shtetit. Kjo e bën qeverinë e parë të paqëndrueshme dhe emrat që mund të sakrifikohen pas një viti, nëse nuk janë në kabinetin personal të Ramës, rrezikojnë të dalin nga politika aktive. Por, në disa raste zgjedhjet e Ramës kanë qenë të kushtëzuara nga rrethanat. Në disa fusha ai nuk ka pasur ekspertë më të mirë se sa ata të përfshirë në kabinet. Shkëlqim Cani është financieri më i mirë që ka PS këto ditë, edhe pse nuk është më i miri i fushës. Ilir Beqja, menaxheri më i mirë i sektorit të shëndetësisë brenda kësaj partie, zonë ku u përqendrua shumë fushata elektorale e PS-së dhe Beqja është autor i këtij kapitulli. Niko Peleshi, administrator lokal që mori dy mandate radhazi në Bashkinë e Korçës, i cili mund të kompensojë në hapat e parë problemet e Kryeministrit në menaxhimin e ekonomisë së vendit. Pra, pjesa e Ramës në qeveri ka plotësuar dy kushte: i pari përmbush vizionin personal politik të Ramës jo thjesht në qeverisje, por edhe në zhvillimet brenda PS-së përmes emrave që vijnë prej miqve të tij të vjetër apo figurave të sponsorizuara prej tij në vite; i dyti lë jashtë qeverisë disa figura të rëndësishme tradicionale të PS-së, duke thirrur në vend të tyre teknicienë të majtë që do të mbajnë edhe peshën kryesore në zbatimin e programit të PS-së. Pjesa e Metës në qeveri është njëfarë koabitacioni mes qeverisë së Berishës dhe qeverisë së Ramës, pasi tre ministra të përfshirë në këtë kabinet kanë qenë ndërkohë eksponentë të rëndësishëm në disa kompozime të qeverive që ka drejtuar Berisha. Natyrisht që disa emra janë jashtë shijeve dhe dëshirave të Ramës, por të kushtëzuar prej aleatit të tij strategjik. Ky lloj kushtëzimi që vjen nga Meta nuk është shtrirë edhe në emrat e ministrave të PS-së, siç ia doli në disa raste të ndikonte listat socialiste të deputetëve në maj të këtij viti. Dy karakteristika të tjera që përmenden rreth ekipit qeveritar të Ramës kanë të bëjnë me afirmime civile, por nuk përbëjnë indikatorë për të matur cilësinë e kabinetit. Fakti që ka shumë gra ministre është herët të përkthehet në cilësi të qeverisjes, ndërsa fakti tjetër, që 75 për qind e ekipit (dhe jo 90 për qind) nuk kanë qenë kurrë ministra, është një pikë e dobët në momentin fillestar të një qeverie. Por, nëse përmes kompozimit të qeverisë së tij është përmbushur vizioni politik i Ramës brenda Partisë Socialiste, ka ende shumë rrëmujë në vizion menaxherial të kabinetit. Edhe pse u bë më shumë se një muaj që e majta ka fituar zgjedhjet dhe brenda një muaji qeveria e saj nis punën, nuk dimë qoftë edhe një prej objektivave të saj. Po të nisemi nga programi elektoral i PS-së për të mësuar diçka, ai është thërrmuar përgjatë këtij muaji. Ka shmangie në premtimin për legalizimet pa pagesë, premtimin për shëndetësinë falas, struktura e re e ministrive paralajmëron dobësimin e administratës publike, nuk flitet më për heqjen e taksave për biznesin e vogël dhe premtimi për taksën progresive është shkatërruar që gjatë fushatës elektorale. Megjithatë, ka momente përmes të cilave mund të lexojmë sadopak frymën e programit të qeverisë që pritet të prezantohet në shtator. Para pak ditësh PS kundërshtoi fort rritjen e pagave dhe pensioneve që u formalizuan nga një vendim i qeverisë “Berisha”. Ky lloj qëndrimi nuk është thjesht ziliqar mes dy kabineteve, por një shenjë se Rama do të aplikojë politika kursimi jo vetëm në investime, por edhe në fushën sociale. Por debatet me Bankën e Shqipërisë, INSTAT, kërkesa për audit ndërkombëtar të financave, flasin për mungesën e një axhende të qartë kundër krizës, axhendë që e kishte qeveria që humbi. Mjafton reagimi ndaj guvernatorit të Bankës Qendrore rreth deklarimit të tij për borxhin publik që të kuptosh se koalicioni e ka marrë me frikë qeverisjen. Fullanin e bënë servil të Berishës. Edhe mund të jetë, por jo për shkak se kërkon të menaxhohet borxhi publik. I bie që të jetë servil më i madh i Ramës, pasi uli interesat e depozitave një muaj para se ai të merrte zyrën e shefit të Ekzekutivit, një nder i madh që i bëhet borxhit të një qeverie në kurriz të sistemit bankar dhe depozitave të qytetarëve. Ndërkohë, audit ndërkombëtar për financat ka kërkuar Kryeministri, por nuk e dimë si mendon ministri i tij i Financave. Kryeministri i ri mund të mos lexojë apo kuptojë shifrat që ofron Ministria e Financave, Banka Qendrore apo INSTAT-i, por a është në gjendje ministri i tij t’i kuptojë ato dhe përmes tyre të skanojë gjendjen e buxhetit dhe të ekonomisë shqiptare?
(Panorama)
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





