

Bruksel, 2 gusht 2013, NOA – Gjatë tre ditëve të fundit janë mbajtur në Bruksel takimet e radhës të grupit punues për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht për çështjet e sigurisë.
Temë kryesore e këtyre takimeve ishte diskutimi mbi planin e integrimit të individëve të komunitetit serb nga pjesa veriore e Kosovës, të cilët duan të integrohen në strukturat e Policisë së Kosovës dhe mbi vazhdimin e konsolidimit të drejtorisë së Policisë së Kosovës për pjesën veriore, bëhet e ditur në njoftimin zyrtar nga delegacioni kosovar, dërguar nga Brukseli.
Në kuadër të kësaj axhende, pala kosovare ka elaboruar edhe një herë aspektin ligjor dhe rregullativat në fuqi të Kosovës për rekrutimin e individëve në Policinë e Kosovës e më pas është folur për kriteret dhe modalitetet e këtij integrimi të mundshëm. Gjithashtu, gjatë këtyre takimeve është biseduar për afatet kohore sipas Planit të Integrimit, të përgatitur nga Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, i cili përfshinë edukimin e vazhdueshëm, përkatësisht trajnimin, që organizon Policia e Kosovës në Akademinë në Vushtrri për policët e rinj, të cilët do të integrohen në radhët e saja. Këto trajnime mbështeten në programe të avancuara dhe cilësore gjithnjë, duke u bazuar në standardet dhe praktikat më bashkëkohore.
Bashkimi Evropian është zotuar se përmes misionit të EULEX-it do të lehtësojë këtë proces, në kuadër të rolit të tij këshillues e monitorues. Delegacioni kosovar konfirmoi se Kosova është duke i përmbushur me kohë dhe drejt të gjitha obligimet që dalin nga marrëveshja për normalizim dhe plani për zbatim.
a.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





