Transmetuar më 31-07-2013, 19:53

Sarandë, 31 korrik 2013, NOA.al- Organizata OMONIA ka reaguar lidhur me përbërjen e kabinetit të ri të qeverisë, drejtuar nga Edi Rama duke shprehur rezerva lidhur me kompozimin e Këshillit të Ministrave, pas mospërfshirjes në kabinet të PBDNJ.

Sipas OMONIA, komunikimi i ministrave nga kryesocialisti ka krijuar habi të justifikuar dhe përforcon rezervat, në gjirin e Komunitetit Etnik Grek.

Sipas kësaj organizate mospërfshirja në mënyrë të drejtpërdrejtë në përbërjen e qeverisë me post ministri, të një pjesëtari të Komunitetit Etnik Grek ndonëse kjo përbën praktikë që nga kalimi normal në demokraci më 1991, për më tepër të propozuar drejtpërdrejt nga Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, PBDNJ, është një ogur jo pozitiv.

“Rezervat tona politike lidhen sigurisht me faktin se sa dhe si forcat që po ndërmarrin qeverisjen e re kanë vullnetin dhe do të punojnë për avancimin e mëtejshëm të të drejtave të Minoritetit Etnik Grek. Kjo në përputhje dhe sipas standarteve të BE kundrejt të cilit dhe procedurave të përafrimit të mëtejshëm  integrues në të, Qeveria Shqiptare është e angazhuar. Zhvillimet e ditës së sotme, sidoqoftë, ngrenë pikëpyetje serioze dhe hedhin hije mosbesimi. Përpos këtyre ne si OMONOIA i drejtojmë apel Bashkimit për të Drejtat e Njeriut- PBDNJ të riorientojë qëndrimin e tij politik në bazë të zhvillimeve të sotme. Nuk bëhet fjalë për interes mikropolitik por për çështje parimore që lidhen drejtpërdrejt me terrenin sensibël të pozicionit të MEG”, thuhet në qëndrimin e organizatës pro greke. /a.y/noa.al/

Kabineti i ri, postet ministrore dhe emrat që surprizuan

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit