

Zëvendëskryeministri dhe ministri i jashtëm grek, Evangelos Venizelos ka theksuar se ratifikimi i marrëveshjes për kufirin detar me Shqipërinë do të jetë një nga prioritetet e ngushtshme të diplomacisë greke.
“Me Shqipërinë, prioriteti ynë bazë është të rikthehemi në procesin e ratifikimit dhe sanksionimit të marrëveshjes për zonat detare, pas bllokimit nga gjykata kushtetuese e Shqipërisë, deklaroi Venizelos, para komisionit të politikës së jashtme dhe mbrojtjes të parlamentit grek.
Në 15 prill 2010, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, ka hedhur poshtë si të papajtueshme me Kushtetutën marrëveshjen e lidhur mes Shqipërisë dhe Greqisë “Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse, të shefit kontinental dhe të zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”.
Greqia e ka vërtetuar se nuk heq dorë nga kjo marrëveshje e cila është temë diskutimi pothuajse në çdo takim që bëhet mes zyrtarëve të lartë të dy shteteve.
Edhe më herët në deklaratat publike për mediat zyrtarë të lartë të shtetit helen kanë përsëritur apelin drejtuar Shqipërisë për të zbatuar marrëveshjen shqiptaro-greke të 27 prillit 2009 për delimitimin e zonave të firmosur nga ministrat e Jashtëm të atëhershëm, Lulzim Basha dhe Dora Bakojanis.
Venizelos i është referuar dhe marrëdhënieve me Kosovën, për të cilat ka thënë se ato do të shqyrtohen në dritën e zhvillimeve të reja të dialogut Prishtinë Beograd, ndërsa ka deklaruar se jemi gati të presim në Athinë hapjen e zyrës tregtare të Kosovës. Shefi i diplomacisë greke, paralajmëroi një raund të ri bisedimesh për emrin me Maqedoninë gjatë muajit shtator të këtij viti.
“Shkupi duhet ta shoh Athinën si partnere dhe si derë hyrëse drejt integrimeve euroatlanike”, theksoi Venizelos . Ai njoftoi se gjatë muajit shtator do të takohet me ndërmjetësin e OKB-së për emrin Metju Nimic ku do të bisedohet për propozimin e fundit për zgjidhjen e kontestit të emrit.
“Arroganca, shkelja dhe ofendimi i trashëgimisë kulturore greke, lëkundja e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, përfshihen në sferën e detyrimeve të përgjithshme të çdo vendi që aspiron të anëtarësohet në BE”, theksoi Venizelos.o.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





