

20 vjet jetë më shumë mund të tingëllojë e çuditshme, por shkencëtarët kanë arritur të zbulojnë se si mund të zgjatet rinia e njeriut. Megjithëse e frikshme aq sa për të dashur t’i zgjasësh vitet e jetës në këtë mënyrë, nga eksperimentet paraprake rezulton se ndoshta ky fenomen në të ardhmen mund të jetë tërësisht i mundshëm.
Disa shkencëtarë kanë nisur të eksperimentojnë duke kultivuar organet njerëzore që do të mund të transplantohen për të zëvendësuar organet e plakura.
Ndërsa një pjesë tjetër shkencëtarësh është duke u përpjekur për të identifikuar gjenin e plakjes. Jo shumë kohë më parë, tek lakuriqët e natës u zbulua gjeni i jetëgjatësisë.
Kjo specie jeton dhjetë herë më shumë se individët e afërt me llojin e vet, tregon shefi i laboratorit për Mjekësinë Rigjeneruese të Institutit Fiziko-Teknik të Moskës, Mihaill Batin:
“Në fakt gjenet që lidhen me jetëgjatësinë e kafshëve, numërohen jo më pak se 100. Ne jemi të angazhuar tani në laboratorin tonë me modelimin e punës së gjeneve, po përpiqemi të krijojmë atë proteinë, e cila kryen funksionet që lidhen me kohëzgjatjen e jetës njerëzore”.
Nëse do të flasim për njerëzit superjetëgjatë, mendon shkencëtari rus, duhet thënë se mosha e tyre nuk është e lidhur aspak me mënyrën e jetës, por me vetë gjenet e tyre. Natyrisht, mënyra e jetesës së shëndetshme, kushtet e mira – të gjitha këto janë një gjë shumë e mirë.
Por për të arritur, për shembull, moshën 120-vjeçare ndihmojnë ekskluzivisht gjenet, aftësia e organizmit për t’i bërë rezistencë streseve.
Sipas mendimit të Mihaill Batin, nëse do të kishte ekzistuar një projekt global i destinuar për jetëgjatësinë, i tillë si projektet për krijimin e bombës atomike apo fluturimin e njeriut në kozmos, atëherë pas 20 vitesh mund të flitej për triumfin mbi pleqërinë.
Por aktualisht, sugjeron shkencëtari rus, një detyrë e tillë nuk është shtruar për zgjidhje:
“Ky është një problem politik, që njerëzit të jetojnë gjatë. Kur të ketë vullnet politik, atëherë edhe njerëzit do të jetojnë gjatë. Por, për fat të keq, liderët politikë posedojnë veti e cilësi të tilla që janë në kundërshtim të plotë me zhvillimin e shkencës. Ata janë fokusuar më shumë në mendimet e njerëzve të zakonshëm. Ndërsa zgjatja e jetës – kjo është një detyrë shumë e vështirë, komplekse. Dhe sado paradoksale që të duket kjo, ajo nuk i intereson njerëzve të zakonshëm. Unë jam mëse i bindur se 80% e njerëzve pyetjes: A do të donit ju të jetonit përjetësisht?, do t’i përgjigjen, jo. Kjo është konfirmuar nga studimet dhe sondazhet e kryera në botë. Megjithatë, që sot është bërë plotësisht e mundur zgjatja e rinisë së njeriut për një kohë të caktuar. Për këtë çdo njeri duhet të dijë deshifrimin e gjenomit të tij. Kjo procedurë kushton rreth 200 $. Analiza e një numri shumë të madh të të dhënave të gjenomit të një personi konkret do të lejojë për të kuptuar se si rrjedhin ndryshimet e lidhura me moshën në organizmin e tij. Dhe pastaj procedurat e zgjedhura drejt, me profesionalizëm, do të lejojnë zgjatjen e jetës rreth 20 vjet”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





