

Qeveria e re që pritet të drejtohet nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, do të ketë në pjesën më të madhe ministra që vijnë nga forca kryesore e së majtës. Ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim do të ketë pesë ministri nga tre që ka pasur në kabinetin e Berishës.
Në kabinetin e ri do të ketë edhe të paktën dy ministra nga 35 partitë e tjera të koalicionit të majtë. Një prej tyre parashikohet të jetë Spartak Ngjela, i paraparë si ministër i Drejtësisë e që pritet të jetë ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin. I dyti, Vangjel Dule, kryetar i PBDNJ.
Nëse në kabinetin e Berishës, LSI kishte ministrinë e Jashtme, të Shëndetësisë dhe të Ekonomisë, në qeverinë e re pritet të jetë në krye të ministrisë së Integrimit Evropian, Turizmit, Drejtësisë dhe Energjetikës. Edhe një ministër pa portofol pritet të jetë i pesti i ministrave të partisë së Ilir Metës. Disa burime shprehen se Lsi mund të ketë edhe një portofol të gjashtë ministror, atë të Jashtme.
Burime nga kampi i majtë i thanë agjencisë noa.al se në total kabineti qeveritar do të ketë 21 persona, ku bëjnë pjesë kryeministri Edi Rama, zëvendëskryeministri pa portofol, 16 ministra dhe 3 ministra pa portofol.
Nga 21 personat që do të përbëjnë qeverinë e re, rreth 18 janë deputetë të zgjedhur aktualisht në Parlamentin që pritet të konstituohet në shtator.
Këta deputetë duhet që të lënë mandatin sapo të shpallet qeveria e re në Parlament, ku do të marrë votëbesimin dhe më pas do të betohet tek Presidenti i Republikës, Bujar Nishani.
Pas kësaj, këta deputetë duhet të zëvendësohen me emra të tjerë.
Kështu nga 83 deputetë që ka aktualisht e majta, parashikohet që ajo të mbetet me rreth 65 deputetë.
Duhet që deputetët që do të dorëhiqen me detyrim për shkak se do të jenë ministra, të zëvendësohen dhe gjasat për këtë i ka ta bëjë Kolegji Zgjedhor.
E kjo procedurë do të marrë disa ditë kohë.
Emrat e qeverisë
Ish Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, deputeti Shkëlqim Cani pritet të jetë ministër i Financave.
Deputeti dhe kryetari i PS për Tiranën, Saimir Tahiri pritet të jetë ministër i Brendshëm.
Ministre e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes është parashikuar të jetë zonja Mimi Kodheli.
Deputetja Klodiana Spahiu pritet të jetë ministrja e Shëndetësisë.
Ministër i Transporteve dhe Infrastrukturës është paraparë të jetë deputeti i LSI, Lefter Koka.
Ylli Manjani pritet të jetë ministër i Energjetikës dhe Industrisë.
Ministër për Inovacionin dhe Administratën Publike parashikohet të jetë deputetja Milena Harito e PS.
Deputeti Ilir Beqja, Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave.
Ministër i Arsimit dhe Sportit, Fidel Ylli.
Ministër i Kulturës, Artan Lame (paraparë edhe për Ministër të Zhvillimit Urban dhe Turizmit)
Ministër i Mbrojtjes pritet të jetë deputeti Damian Gjiknuri (parashikuar edhe për ministër i Brendshëm).
Ministre e Integrimit Evropian, pritet të emërohet Klajda Gjosha nga LSI.
Ende nuk ka burime të besueshme për emrat e tjerë të kabinetit qeveritar të Edi Ramës. Disa burime pohojnë se kjo listë e besueshme, mund të pësojë ndryshime nga kreu Rama, ashtu siç ka ndodhur shpesh me listat e kandidatëve për deputetë që janë ndryshuar në minutën e fundit para dorëzimit në KQZ.
Struktura e Qeverisë së re të Shqipërisë 2013 – 2017
Kryeministri
Zv/Kryeministri
Ministritë:
1. Ministria e Financave
2. Ministria e Brendshme
3. Ministria e Mbrojtjes
4. Ministria e Jashtme
5. Ministria e Integrimit Europian
6. Ministria e Drejtësisë
7. Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes
8. Ministria e Energjisë dhe Industrisë
9. Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit
10. Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës
11. Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave
12. Ministria e Shëndetësisë
13. Ministria e Arsimit dhe Sportit
14. Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë
15. Ministria e Kulturës
16. Ministria e Mjedisit
Ministrat e Shtetit:
Ministër për Inovacionin dhe Administratën Publike
Ministër për Çështjet Vendore
Ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin
Si është struktura aktuale e Qeverisë
Kryeministri
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Arsimit dhe Shkencës
Ministria e Jashtme
Ministria e Brendshme
Ministria e Mbrojtjes
Ministria e Integrimit
Ministria e Financës
Ministria e Ekonomisë,Tregtisë dhe Energjetikës
Ministria e Drejtësisë
Ministria e Punëve Publike dhe Transportit
Ministria e Arsimit dhe e Shkencës
Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta
Ministria e Shëndetësisë
Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit
Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinise dhe Sporteve
Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave
Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





