Transmetuar më 30-07-2013, 23:56

Ditë zie kombëtare dje në Itali në nderim të 38 viktimave të aksidentit rrugor, ku një autobus u rrëzua në një rrëpirë në Irpinia. Mbi 4 mijë persona, ndërmjet tyre edhe Kryeministri italian, Enriko Leta, kanë ndarë dhembjen e tyre të thellë me familjet e 48 viktimave që humbën jetën në mënyrë tragjike, kur autobusi me të cilin po udhëtonin u rrëzua nga 30 metra lartësi në një autostradë në Itali, mbrëmjen e së dielës.

Ndërkohë në të gjithë Italinë, flamujt e vendosur në hyrjet e të gjitha institucioneve publike vendore dhe lokale qëndruan përgjatë gjithë ditës në gjysmështizë, në shenjë nderimi për të vdekurit.

Vetë kryebashkiaku i Pozzuolit u shpreh se, "populli do të qëndronte i fortë dhe i bashkuar, në mbështetje dhe solidaritet me familjet e viktimave". Në aksidentin e rëndë në autostradën A16 Napoli-Canosa humbën jetën 38 pasagjerë.

Incidenti ndodhi në mes të Monteforte Irpino dhe Baiano, ndërsa midis viktimave ishte edhe shoferi i autobusit. Mësohet se autobusi ka goditur një varg të gjatë makinash në autostradë, para se të përplasej me një shkëmb dhe të fluturonte në një greminë prej 25-30 metrash të lartë. Zona ku ka ndodhur aksidenti është mjaft e rrezikshme.

Kushtet e motit në kohën e aksidentit ishin të mira. Ndërkaq 11 të plagosurit ndodhen në gjendje kritike për jetën në spitalin e Avellino dhe komunat e tjera fqinje. Ata janë 6 gra, 2 burra dhe 3 fëmijë. Autoritetet policore thanë se pasagjerët kanë qenë duke u kthyer nga një pelegrinazh në Padre Pio.

13 aksidentet fatale

Aksidenti me autobus që shkaktoi 39 të vdekur në radhët e pelegrinëve italianë, në zonën e Napolit, është aksidenti i dytë më i madh në Evropë këto 10 vitet e fundit. Më poshtë vijojnë aksidentet më fatale në Evropë gjatë 10 viteve të fundit: – 28 korrik 2013, Itali, 39 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur në Avellino, rreth 50 kilometra në lindje të Napolit, kur një autobus që transportonte pelegrinë italianë u rrëzua rreth 30 metra në greminë. – 13 mars 2012, Zvicër, 28 persona, nga të cilët 22 fëmijë në Belgjikë kanë humbur jetën kur autobusi i tyre goditi një mur të tunelit në autostradë në kantonin e Valais (jug). – 21 dhjetor 2011, Turqi, 25 persona, shumica studentë, kanë humbur jetën kur një kamion goditi një minibus në krahinën e Dijarbakir (juglindje). – 12 tetor 2010, Ukrainë, 45 persona kanë vdekur nga përplasja e një treni me një autobus në një mbikalim hekurudhor në qytetin e Marganets (qendër). – 24 korrik 2009, Rusi, 25 persona kanë mbetur të vrarë nga përplasja midis një kamioni dhe një makine në autostradën Rostov-Krasnodar, 60 kilometra nga Rostovi (jug). – 25 mars 2009, Rusi, 25 persona vdiqën nga përplasja e një makine me një kamion, rreth 150 kilometra në verilindje të Moskës. – 4 nëntor 2008, Gjermani, 20 persona kryesisht të moshuar, kanë humbur jetën nga flakët e një autobusi në një autostradë në afërsi të Hanoverit (në veri). – 22 korrik 2007, Francë, 26 të vdekur dhe 24 të plagosur është bilanci i viktimave, kur një autobus që transportonte 50 pelegrinë polakë ra në një përrua pas devijimit nga rruga kryesore në Isere (juglindje). – 30 korrik 2004, Turqi, 26 të vrarë nga përplasja e një autobusi me dy kamionë pranë Tercan në provincën e Erzincan (lindje). – 19 mars 2004, Finlandë, 24 të vdekur, shumica adoleshentë, nga një përplasje e autobusit me një kamion pranë qytetit të Aeaenekoski (qendër). – 7 qershor, 2003, Turqi, 27 persona janë vrarë në një aksident kur autobusi u përplas me një mur në hyrje të tunelit pranë qytetit të Erzincan (lindje). – 17 maj 2003, Francë, 28 të vdekur dhe 46 të plagosur në një aksident automobilistik, një autobus me turistë gjermanë në rrethinat veriore të Lyonit. – 13 prill 2003, Greqi, 21 studentë të vrarë dhe 24 të plagosur në një përplasje mes një autobusi dhe një kamioni në veri të vendit.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit