
Ohër, NOA.al – Çmimet e shërbimeve turistike në Ohër janë të larta dhe jokonkurrente në krahasim me destinacionet e tjera turistike në rajonin e Ballkanit.
Ky vlerësim ka dalë sot nga mbledhja e parë e këshillit ekonomik në Ohër të kryesuar nga Oda Ekonomike e Maqedonisë dhe komuna e Ohrit. Këshilli vendosi që të ndërmarrë masa dhe aktivitete për të përmirësuar imazhin e Ohrit si destinacion turistik.
Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë, Branko Azeski deklaroi se Ohri akoma nuk ka hartuar një ofertë konkrete turistike për të tërhequr pushuesit nga vendet e huaja.
“Oferta e Ohrit nuk mund të jetë konkurrente me vendet fqinje si Shqipëria, Greqia dhe Bullgaria, ndërsa si element kryesor për rregullimin e kësaj çështje prioritet duhet të jetë infrastruktura. Ohri duhet të ketë lidhje me të gjitha anët, dhe duhet shfrytëzuar hapësirën ku shtrihet”, deklaroi Azeski.
Kryetari i ri i Ohrit, Nikolla Bakarçeski deklaroi se çmimet e shërbimeve në qytet janë të larta dhe se qytetit i mungojnë ofertat dhe pakot e ofruara për pushime për turistët e huaj dhe vendor.
“Imazhi i qytetit është shumë negativ. Ne duhet të ndërmarrim masa për të përmirësuar këtë imazh duke ofruar një ofertë të lirë dhe të përshtatshme për turistët”, theksoi Bakraçeski.
Ohri vazhdon të jetë një destinacion i preferuar për turistët e huaj dhe se këtë vit përveç turistëve nga vendet e rajonit, janë edhe turistët holandez dhe çek që shfrytëzojnë këtë pikë turistike me Liqenin e bukur të Ohrit. /n.p/o.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





