
Tiranë, NOA.al- Nuk do të ketë legalizim të ndërtimeve pa leje të ndërtuar gjatë fushatës elektorale, tha sot kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ndërsa ndodhej në një tryezë për decentralizimin.
Kryebashkiaku kërkoi nga Inspektoriati ndërtimor të identifikojë çdo objekt pa leje të ndërtuar gjatë kësaj periudhe. “Është detyra juaj e parë të veproni në mënyrë energjike për të identifikuar çdo proces shkelje ligji që fillon apo vazhdon me ndërtimet pa leje. Që nga marrja e masave administrative siç janë gjobat e deri tek prishja e këtyre objekteve. Nuk do të ketë asnjë lloj procesi legalizimi për këto ndërtimet dhe kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë qytetarët” u shpreh Basha.
Me propozim të kryetarit të Bashkisë Lulzim Basha, krerëve të 11 njësive Bashkiake të Tiranës i kanë kaluar një sërë kompetencash për menaxhimin e territorit.
“Decentralizimi është një instrument në shërbim të qytetarëve I cili jep efekte pozitive sa herë që është bërë në mënyrë reale. Pranë çdo njësie do të ngrihet një grup pune e përbërë nga inspektorë dhe policë bashkiak, që do kontaktojë me kreun e njësisë dhe do të bëjë kontrollin e territorit. Drejtorët dhe inspektorët e njësive do të jenë në kontakt me krerët e minibashkive për kontrollin e territorit. Do të jem i përkushtuar që kjo mënyrë veprimi të funksionojë dhe të japë rezultate sa më pozitive. Decentralizimi është i suksesshëm vetëm kur kontrollohet çdo hap apo çdo kompetencë. Nuk ka vend për asnjë lëshim në raport me ligjin, nga ana e grupeve që do kontrollojnë territorin” përfundoi Basha.o.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





