

Sulmuesi i Barcelonës, Lionel Messi, e ka fituar për herë të tretë çmimin e lojtarit më të mirë në botë nga portali më i madh i lajmeve të futbollit në botë, Goal.com.
Argjentinasi e fitoi çmimin si lojtari më i mirë pasi mori më shumë vota për dallim prej 49 lojtarëve tjerë në konkurrencë për çmimin Goal Top 50.
Messi gjatë sezonit të kaluar arriti kuotën e 91 golave për vitin 2012 për të thyer rekordin e Gerd Muller dhe 500 gazetarë të portalit Goal nga anembanë bota kanë votuar për lojtarin më të mirë në botë, ku Lionel Messi ka marrë më shumë vota.
Ai në renditje ka dalë para Franck Riberys i renditur në vendin e dytë, i cili ndihmoi Bayernin e Munichut drejt tripletës, teksa Cristiano Ronaldo është në vendin e tretë.
Pasi mori çmimin, Messi u shpreh i ngazëllyer për këtë arritje individuale që për të nuk është aq e rëndësishme.
“Jam shumë i kënaqur për këtë. Si lojtarë, ne punojmë gjatë gjithë vitit për të fituar trofe me ekipin, ne nuk kërkojmë trofe individualë, por kur ato vijnë është një motiv shtesë e që na japin forcë të vazhdojmë tutje në rrugën e njëjtë”, ka theksuar Messi për Goal.com.
Lionel Messi e ka fituar edhe dy herë të tjera këtë çmim – në vitin 2009 dhe 2011. Ai është lojtari që e ka fituar më së shumti këtë çmim, pasi Cristiano Ronaldo e ka fituar dy herë atë.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





