

Ji hileqar sa të duash, se hapësirë ke sa të duash, se bota plot me budallenj dhe plot me hile është, pak a shumë në relacionin sasior ujë dhe tokë, toka budallallëku, uji hileja, veç nja dy këshilla që po të m’i dëgjosh, ndoshta të vlejnë, nuk mund të rri pa t’i bërë
Nga Edison Ypi
O i bujshëm i kujshëm, Në fillim ishe interesant, na i mbushe stomakët bosh, na i vure në lëvizje dhëmbët e papërdorur, nofullat e ngathëta, gurmazet e thara, dhe të falenderuam. Por tani e ke tepruar. Po kërkon shumë. Po kërkon të na bësh të harrojmë të hamë si njerëz dhe të nisim të kullosim si bagëti. Ti Zoti Hamburger dhe emrin sesi e ke, sikur të ka pagëzuar Gestapoja. Po kthehesh në murtajë o’ burrë i dheut. Tani që ne ta kuptuam hilenë dhe dëshira për ty po na pakësohet, të është rritur oreksi ty. Kishim dëgjuar për ty, çoç na dukeshe, por nuk të njihnim. Tani që të njohëm e kuptuam se nuk je veçse një surrogat i atyre dy copave bukë që i merrnim me vete mbështjellë me gazetë pasi kishim pështyrë mbi të. Meqenëse s’je fort në rregull nga sytë e veshët dhe trutë e kokës, s’po duroj dot të t’i them açik disa gjëra. Për fajin tënd për shembull, ai djali atje mbi trotuar, përpara atij lokalit të ri “Ha & 3t & 10”, duke të ndukur ty po i çuçurit asaj vajzës: “Alk@a, t’prita në 8or mer Yahoo, tani o 9or…”. Alketa, me sa duket, studente në ndonjë metropol plot mjegull e shi, ka ardhur për pak diell dhe dritë në Tiranë. Me një vëth të rrumbullakët me diametër sa tëndin në njërin vesh, që duket si ai rrethi i cirkut ku fap hidhet brenda tij ai qenushi, kjo Alketa, duke mbllaçitur një tjetër si ty, ia pret e-mikut, “2lo, 6 un tesoro honey, je 1 really sexplorer". Pa shih a shih, ky biznesmeni që thotë se i kushton njëqind jeshile minuti, gjithë sy e vesh e gojë e duar e hundë duke folur në celular po nduk një si ty. Preket dhe shtyhet me kalimtarët, me ata të cilëve nuk u kushton as një jeshile dita. Po ku pyet ai. Ti dhe celi dhe gazetat që mban nën sqetull e keni përpirë të tërin. Të hapurit e gojës për të folur në cel dhe për të të kafshuar ty i ngatërrohen frikshëm. Një herë duket sikur po flet me ty, pastaj sikur po kafshon celularin. Po me këtë të moshuarin ç’ke?! Edhe këtij dashke t’ia bësh gropën ? Mezi po të shqyen. I ka pasur qyshkur dhëmbët e gërryer, nuk ka para t’i ndreqë, kujton se mund ta shtyjë edhe ca. Gabohet, sepse ti, ai nuk e di, me gjithë ato konservantë brenda teje je minatori më i zellshëm, tritoli më i fuqishëm i hedhjes në erë të zmaltit të dhëmbëve. Po ky Benz-i i ndalur që s’kuptohet pse ka zënë rrugën e ngushtë, duke bllokuar trafikun dhe duke i bërë shoferët nervozë t’u bien borive pa pushim ? Dy të fortë me nga një si ty në duar më së fundi dalin nga lokali “Ha & ¶” drejtohen më nge drejt Benz-it, nisen, dhe nëse u je dukur i ftohtë ose i vjellshëm dhe nuk të kanë honepsur, të flakin pa u menduar mu në mes të rrugës. Ky zotnia që po kalon duke të kafshuar gjithë delikatesë, sapo doli nga restoranti “Ha & ¶ & 3t & 10”, nuk paska celular ndër duar, ik e ha e lexo gazetën e zemrës, aj-aj-aj, kur sapo ti kishte ngulur dhëmbët ty dhe sytë paragrafit më të rëndësishëm atje ku shpjegoheshin një për një të gjitha dallavereve të djeshme të politikës, një pellg i vogël i kuq salce i rrjedh pikërisht mbi atë paragraf, duke ia ndërprerë mizorisht orgazmën giornalistike të ditës. Në një qoshe, një lypës këmbëzbathur të ka kapur fort me të dy duart. Nga shpejtësia e urisë së papërmbajtur, duket sikur nuk po të ha, por po të thith, po të pi. Të zvogëlon e të zvogëlon sipas një harte të padeshifrueshme dhe afër fundit të katandis në një gjysmë-hënë, derisa ti, hëna djallëzore e lumturisë së tij përkohëshme, zhdukesh fare, eklipsohesh nga dielli i zi i mjerimit të tij. Diçka që nuk kam për ta kuptuar dot kurrë: Si është e mundur që ti hileqari i madh, ju pëlqen aq tepër hileqarëve të vegjël, ish-fshatarëve, atyre që në qytet vijnë prej andej ku gatuhen supat më fantastike, fasulet më të buta, turlitë më të këndshme, byreqet më të shijshme ?! Duket si komplot, si përbetim. O mashtrues modern, nuk e kam hallin tek hileja jote or jo. Ji hileqar sa të duash, se hapësirë ke sa të duash, se bota plot me budallenj dhe plot me hile është, pak a shumë në relacionin sasior ujë dhe tokë, toka budallallëku, uji hileja, veç nja dy këshilla që po të m’i dëgjosh, ndoshta të vlejnë, nuk mund të rri pa t’i bërë. E para; kryetar partie, biznesmen, moderator televiziv, je, je e do jesh, rron e do rrosh sa malet, deri në fund të jetës, deri në fund të botës, mos ki hiç frikë, s’ka statut, ligj, qeveri me të shkul. Por aman gazetar mos u bëj. Po qe se ndërkohë fatkeqësisht je, hiq dorë sa më shpejt. Ik vrap, shko bëj ndonjë gjë tjetër. Dhe e dyta, deputet a ministër jazëk se bëhesh. Je shpikur për t’u ngrënë, jo për të ngrënë.T’i thashë këto o Zoti Hamburger, jo se të kam mik, a për të të bërë moral, se ti s’merr vesh nga këto, por si shqiptar, si qytetar. O tul, o tub, o tyç, mos harro, se në fund të fundit s’je veç një copë mish.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





