

Prishtinë, 29 korrik 2013, NOA.al- Politikanët serbë të veriut të Kosovës kërkojnë që në atë pjesë të Kosovës të sigurohet një ambient i sigurt për mbajtjen e zgjedhjeve dhe njëkohësisht ata përsërisin të drejtën e serbëve për të mos marrë pjesë në zgjedhje.
“Dalja e serbëve në zgjedhje do të duhej të ishte e drejtë e tyre demokratike ashtu sikurse edhe mos dalja. Kështu që, sa i përket sigurisë, duke pasur parasysh traditën demokratike të popullit serb, mendoj se askush nuk do të ketë kurrfarë pasojash, nëse del në zgjedhjet që mbahen sipas ligjeve të Kosovës”, ka thënë lideri i serbëve të veriut Marko Jakshiç.
Ndërkaq, njohësit e çështjeve të sigurisë në vend thonë se nuk pritet cenimi i procesit zgjedhor.
Sipas njohësit të sigurisë, Naim Malokut, nuk pritet ndonjë përkeqësim i situatës së sigurisë atje, e cila do të ndikonte në pjesëmarrjen e qytetarëve serb në zgjedhje.
“Mendoj se kjo marrëveshje që Serbia e ka arritur me Kosovën, do të ndikojë që ata (serbët e veriut) të marrin dritën e gjelbër ose kushtimisht, urdhrin nga Beogradi dhe do të dalin në zgjedhje. Unë nuk pres ndonjë problem, sa i përket sigurisë në veri e as në pjesët tjera të Kosovës. Mjafton dhe duhet trysnia e vazhdueshme e faktorit ndërkombëtarë mbi qeverinë aktuale në Serbi, në mënyrë që ajo t’i përmbahet marrëveshjes dhe zbatimit të saj”, tha Naim Maloku, njohës i çështjeve të sigurisë.
Ai ka shtuar gjithahstu se serbët e veriut të Kosovës janë të dirigjuar nga Beogradi dhe në këtë drejtim janë të disiplinuar.
Deri tani, shumica e liderëve serbë të veriut të Kosovës tashmë janë deklaruar se nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet që i organizojnë institucionet e Kosovës.
“Njerëzit, tashmë kur kemi të bëjmë me zgjedhjet, orientohen vetë nëse kanë përfitim politik ose jo, që do të thotë, a do ta humbin lirinë serbët me daljen në zgjedhje lokale apo jo. Ajo që ne dimë është që nëse serbët në veri të Kosovës dalin në zgjedhjet lokale me regji të Prishtinës, thjeshtë, do ta humbin lirinë”, ka theksuar Jakshiç.
Por sipas Malokut tashmë ekzistojnë sinjale se dalja e serbëve të veriut në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit mund të jetë e madhe, ndërkohë që sipas tij, procesi zgjedhor atje pritet të kaloj i qetë.
Gjithsesi serbët e veriut, jo vetëm që janë shprehur kundër këtyre zgjedhjeve por edhe kundër përgjithësisht marrëveshjeve të arritura në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Megjithatë, që zgjedhjet lokale në Kosovë të mbahen më 3 nëntor, ishin pajtuar kryeministrat Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç në Bruksel. I pari që e kishte përmendur këtë datë ishte Kryeministri i Serbisë Ivica Daçiç. /t.k /a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





