Transmetuar më 29-07-2013, 11:06

Prishtinë, NOA.al –Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka hedhur dyshimet e tij mbi anëtarët e Komisionit Parlamentar që mbikëqyr punën e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës. Sipas tij, ata fillimisht është dashur të verifikohen nga AKI.

Dyshimet dhe pakënaqësitë e tij kanë të bëjnë me të kaluarën e këtyre deputetëve të cilët sipas Krasniqit, kanë qenë pjesë e Shërbimit Informativ të Kosovës që ka shërbyer deri më 2008 dhe këto ditë po dënohen disa krime të kryera në emër të SHIK-ut.

“Jo të gjithë deputetët mund të jenë të denjë për këtë punë. Disa prej tyre janë edhe ish- anëtarë të SHIK-ut”, ka thënë Krasniqi, raporton korrespondentja e Noa.al.

Ai nuk ka përjashtuar askënd për verifikim megjithëse thotë se tashmë është vonë për këtë.  “Të nëntë deputetët e këtij komisioni, Florin Krashniqi në cilësinë e kryetarit, Fadil Demaku zëvendëskryetar i parë, zëvendëskryetar i dytë Vesimir Saviq, kurse anëtarë Bekim Haxhiu, Haki Demolli, Imri ahmeti, Burim Ramadani, Ukë Rugova e Duda Balje duhet të verifikohen nga AKI, për të kryer këtë punë, por ky verifikim ende nuk ka ndodhur”, nënvizoi ai.

Krasniqi është i njohur për kritikat e tij të hapura, për qeverinë dhe parlamentin, megjithëse është pjesëtar i partisë në pushtet, PDK-së./t.k/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit