

Papa Françesku në Ditën Botërore të Rinisë në Rio de Zhaneiro u bëri thirrje të rinjve katolikë të luftojnë për një botë më të mirë. „Mos jini të krishterë të rastit“, bëri thirrje kreu i Kishës Katolike gjatë vigjiljes tradicionale të natës në plazhin e Kopakabanës.
"Jini protagonistë, shkoni përpara, ndërtoni një botë të drejtësisë, të dashurisë, të vëllazërisë dhe solidaritetit", i bëri thirrje Françesku rinisë. Në vigjiljen tradicionale të Ditës së Rinisë para meshës përmbyllëse pas gjashtë ditësh të eventit botëror të rinisë katolike, morën pjesë gati 3 milionë vetë, sipas të dhënave të administratës së metropolit brazilian.
Si shembull të pjesëmarrjes së të rinjve në jetën publike Françesku përmendi protestat e fundit kundër korrupsionit dhe mungesës së demokracisë në një sërë vendesh, ndër to edhe në Brazil. Duke iu referuar Nënë Terezës së Kalkutës ai i tërhoqi vëmendjen rinisë që ndryshimin ta nisë nga vetvetja.
Kreu i kishës romano-katolike disa herë u bëri thirrje të rinjve gjatë fjalimit në audiencën gjigante në plazhin e Kopakabanës, që t’i përgjigjeshin direkt atij dhe t’i përsërisnin fjalët e tij. Vendimtare janë “lutja, sakramenti dhe ndihma për tjetrin", tha Françesku, ndërkohë që të rinjtë i përsërisnin fjalët e tij. Jam plotësisht i sigurt, që ju “nuk doni të jeni të krishterë të rastit, dritëshkurtër dhe sipërfaqësorë, por të krishterë autentikë”, tha papa.
Më parë papa në një meshë para peshkopëve dhe priftërinjve bëri thirrje, që ata të jenë shërbëtorë të bashkësisë dhe të dalin në rrugë. “Ne nuk mund të qëndrojmë të mbyllur në famulli, në bashkësitë tona, kur shumë njerëz presin për ungjillëzimin." Sërish papa Françeku bëri thirrje për një “kulturë të takimit” me të varfrit e shoqërisë.
Në takimin më të madh të katolikëve sivjet morën pjesë të rinj nga 175 vende të botës. Shumë pelegrinë e kaluan natën në të gdhirë të së dielës duke kënduar në plazh. O.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





