Transmetuar më 27-07-2013, 20:08

Pesaro, 27 korrik 2013, NOA.al- I lodhur nga papunësia, ndërmori një akt ekstrem. Mori një bidon me benzinë, leu trupin dhe i vuri flakën vetes.

Është ky veprimi i dëshpëruar i emigrantit shqiptar në Itali, Hysni Daci, i cili ishte i martuar dhe kishte tre fëmijë, por që nuk arrinte të siguronte dot të ardhura për të mbajtur familjen.

50 vjeçari me banim në Saltara, u shtrua në spital në gjendje kritike për jetën, pasi 80% e trupit të tij është djegur, me djegie të shkallës së tretë.

Daci, i papunë prej afro 1 viti, kishte përfunduar në një krizë të thellë depresive, e cila u thellua edhe më tej, pas pushimit të papritur nga puna të së shoqes, me të ardhurat e së cilës mbahej familja me pesë anëtarë.

I tha fëmijve dhe gruas se do dilte për xhiro, por vetëm pak momente më vonë telefonoi bashkëshorten duke i thënë synimet e tij, ndërsa më pas i vuri zjarrin vetes.

Dëshmitarë në vendin e ngjarjes e panë teksa përpëlitej mes flakëve, por pavarësisht ndihmës së dhënë, shkalla e djegies ishte e madhe.

50 vjeçari u dërgua me urgjencë me helikopter në spitalin e Bufalini në Cesena, ku vijon të ndodhet në gjendje kritike. /a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit