



Tiranë, 27 korrik 2013, NOA.al- (Përditësuar) Kolegji Zgjedhor ka përfunduar pasditen e sotme numërimin e të 15-të kutive në qarkun e Kukësit, por pa asnjë ndryshim rezultati.
Procesi i numërimit nisi pak para mesditës së sotme, ku 15 kutitë u numëruan nga katër grupe numërimi, por pa ndryshuar rezultat në ndarjen e mandateve, ndërsa anëtarët e Kolegjit Zgjedhor pak orë më vonë konfirmuan zyrtarisht rezultatin.
Kolegji Zgjedhor siç raporton Noa.al, vlerësoi shkeljet e pretenduara nga Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila kishte dyshime për numërimin e votave në rrethin e Bajram Currit.
Kërkesa e LSI u pranua dje nga Kolegji, i cili i hapi dritën jeshile numërimit të 15 kutive të numëruara për herë të dytë.
Nga ana e tij përfaqësuesi ligjor i LSI-së Ilirjan Muho edhe pas rezultatit të Kolegjit, hodhi dyshime për ndërhyrjen në kutitë e votimit të numëruara sot në Kolegjin Zgjedhor, ku tha se gjatë këqyrjes së materialeve filmike ekspertët konstatuan qartë fletë votimi të bardha, të cilat nuk ndodheshin në kutitë e votimit që u rinumëruan gjatë ditës së sotme në Kolegj.
Në qarkun e Kukësit Partia Demokratike mori 3 mandate, Partia Socialiste 1 mandat, ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim asnjë mandat.
Lëvizja Socialiste për Intergrim pretendonte se në 15 qendra votimi në rrethin e Bajram Currit kishte mospërputhshmëri të rezultatit final, të tabelës përmbledhëse të miratuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe pamjeve filmike. Sipas përfaqësuesve të LSI, bëhej fjalë për një total prej 155 votash, të cilat sipas tyre janë manipuluar, duke shkuar në favor të koalicionit të djathtë. /a.y/noa.al/
Kolegji Zgjedhor pranon ankimimin e LSI-së, rinumërim 15 kutive të Kukësit
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





