Transmetuar më 27-07-2013, 15:31

Radamel Falcao, Eric Abidal, Joao Moutinho dhe…Etrit Berisha.

Bombën më të fundit të merkatos e lëshon e përditshmja suedeze, “Sport Bladet”, sipas së cilës, gardiani i kombëtares shqiptare është në gjurmët e skuadrës së Monacos.

Klubi i principatës që po bën investime të fuqishme për të ndërtuar një ekip për të thyer hegjemoninë e Paris Saint Germain në Francë, kërkon siguri në katërkëndësh dhe kërkimet e tyre mesa duket janë ndalur në Suedi ku militon 24-vjeçari shqiptar.

Shoqëria e manjatit rus, Dmitry Rybolovlev ka dërguar disa vëzhgues në vendin nordik për të ndjekur nga afër portierin e skuadrës së Kalmarit.

“Sport Bladet” e ka kontaktuar personalisht portierin kuqezi, i cili nuk ka dashur të zbulojë asnjë detaj, duke theksuar se për momentin nuk ka asnjë lëvizje konkrete, por shtoi se ëndrra e tij është të luajë në një skuadër të madhe evropiane.

Në vijim, Berisha i është përgjigjur edhe pyetjes nëse ndihet nervoz kur luan përballë vëzhguesve të dërguar nga një skuadër kaq e rëndësishme, duke theksuar se paraqitja e tij është e njëjtë në çdo ndeshje edhe pse e ka të vështirë të përqëndrohet kur ndaj tij përqëndrohet e gjithë vëmendja.

24-vjeçari i lindur në Prishtinë, është bashkuar me skuadrën e Kalmarit që në vitin 2008 por muajt e fundit, paraqitjet e tij kanë tërhequr vëmendjen e disa skuadrave me emër në Europë, mes të cilave bën pjesë edhe Lazio, transmeton Supersport.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit