

Studimet e fundit tregojnë se njerëzit që neglizhojnë ngrënien e vaktit të mëngjesit janë më shumë të rrezikuar nga sëmundjet kardiologjie. Alarmi është dhënë nga një studim i kryer në Shtetet e Bashkuara, i publikuar nga studiuesit e Shkollës së Shëndetit Publik në Harvard.
“Të mos hash mëngjes është një zakon i keq, pasi rrit rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe e ekspozon më shumë këtë organ ndaj sulmeve kardiake që mund të rezultojnë fatale” deklaton drejtuesja e grupit të studiuesve, Leah Cahill.
Studimi, i kryer në periudhën 1992-2008 në mbi 27 mijë individë të seksit mashkull të moshave nga 45 në 82 vjeç, ka konstatuar rritjen me 27 për qind të faktorit të rrezikut kardiologjik tek ata që zakonisht e braktisnin mëngjesin.
Nga ana tjetër, në këtë kategori hyn një përqindje e lartë e duhanpirësve, konsumatorëve të alkoolit dhe atyre që kanë mungesë aktiviteti fizik.
“Heqja dorë nga mëngjesi mund të shkaktojë obezitet, hipertension, rritje të kolesterolit dhe diabet, probleme këto që mund të favorizojnë një krizë të gjatë kardiake”, ka deklaruar studiuesja Leah Cahill.o.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





