Transmetuar më 26-07-2013, 09:40

Daniela Pajaziti mban në kokë një kurorë bukurie si “Miss Durrësi” dhe pak është folur për këtë, më së shumti ka nisur të diskutohet kur ajo pranoi se është në lidhje dashurie me reperin e shumë pëlqyer dhe të diskutuar Noizy. Por, kush është Daniela në jetën e përditshme dhe cilat janë sakrificat që ka bërë, apo bën për hir të profesionit dhe dashurisë. Për t’i mësuar të gjitha këto lexoni intervistën e dhënë për suplementin “Summer Time” .

Kurora e Missit  është një ëndërr për të gjitha vajzat në fakt, po kur e ke atë, si ndihesh?

Sot po bëhen shumë spektakle bukurie, të cilat e bëjnë dhe të dyshimtë faktin, nëse po nxjerrin vërtet produkte dhe përfaqësues seriozë të vendit tonë, apo si çdo gjë edhe spektaklet e bukurisë po bëhen biznese fitimprurëse për organizatorët?! Kjo gjë më bën t’u them të gjitha vajzave se të qenit Miss, nuk është e lehtë dhe njëkohësisht kërkon një përgatitje dhe kujdes të veçantë për atë çka përcjell përmes vetes tënde tek të tjerët. Gjithçka që e rrethon një Miss duhet të jetë e kuruar dhe e kujdesshme. Paraqitja e vetes të jetë sa më dinjitoze, prezantimi tek të tjerët në rrugë, apo nëpër rrjete sociale duhet të jetë i mirë kontrolluar, kjo për të dhënë më të mirën dhe për ta justifikuar atë titull. E them këtë gjë, nga vetë eksperienca ime që kam pasur në këto dy vite. Të qenit Miss, të jep edhe shumë privilegje të tjera, madje mund dhe të të drejtojë në një jetë tjetër, të bukur, aktive dhe me shumë kontakte të reja që e bëjnë jetën më shumë aktivitete dhe shumëngjyrëshe.

A është e vështirë jeta e një modeleje?

Të jem realiste po. Duhet të bësh një jetë të qetë, me një gjumë të rregullt, dietë të kontrolluar ushqimore, shpenzime pafund për veshje kur je e ftuar nëpër emisione, spektakle, apo evente. Pra duhet shume energji dhe vullnet, sepse kjo puna e modelingut aq e bukur është, aq edhe e kushtueshme është. Në rastin konkret më pak mbështetje ia kam dalë mbanë.

Cilat janë sakrificat më të mëdha që duhet të bësh për të qenë e suksesshme?

Pafund. E them, sepse edhe unë kam bërë shumë të tilla. Të duhet të rrish me njerëz që edhe si honeps dot kurrë, të duhet të bësh fotoshooting edhe me persona që të sugjerojnë, të tjerë të dalësh se kanë emrin, por në të vërtetë mund të jenë shumë antipatikë, por tek e fundit kjo është puna. Për sukses dhe realizim objektivash jo domosdoshmërisht të gjitha gjërat do të duhet t’i bësh me shumë dëshirë. Pa sakrifica, s’ka sukses.

Mendoni se të qenit e bukur është çelësi i karrierës së një modeleje, apo të duhet edhe mbështetje e fat?

Bukuri, fat dhe mbështetje mbi të gjitha. Njoh shumë modele të bukura që s’e kanë pasur fatin të shkëlqejnë në këtë fushë, sepse s’kanë pasur mbështetjen e duhur që nga familja, pastaj nga njerëzit e duhur, apo ndoshta fati s’i ka shkëlqyer atje ku kanë shkuar për të bërë casting dhe janë kthyer në vendin e tyre të origjinës. Kjo është jeta. Të servir surpriza dhe gjithçka mund të ndodhë në një ditë të bukur që të shndërrohesh në një yll, por sigurisht duhet të kesh një pamje të këndshme, një rregullsi trupore dhe komunikimin e duhur, që të tjerat të shkojnë mirë dhe në favorin tënd. Por, mund të them me siguri një gjë, të qenit e bukur nuk mjafton, pasi mund të jetë një hiç pa punë dhe mbështetje.

Ju ka penguar, apo kushtëzuar jetën të qenit një personazh publik?

Jam mësuar le të themi, me faktin e të qenit një vajzë e komentuar, e diskutuar nëpër eventet ku marr pjesë, si mike, apo e ftuar, e shënjestruar për t’u komentuar në heshtje, nëpër klube, kur kaloj ndonjë mbrëmje mes miqsh. Ndodh dhe është më se e natyrshme që do të ketë fjalë dhe përhapje bisedash, aq më tepër kur pamja e jashtme për shkak të gjatësisë bën përshtypje edhe për ata që s’kanë mundur të të njohin nga afër. Gjithsesi janë të pranueshme dhe të japin emocione pozitive.

Çfarë privilegjesh ka një vajzë e bukur?

Ka privilegje pafund, por si gjithmonë nuk është mirë t’i marrësh të mirëqena këto privilegje, sepse mund edhe të dembelosesh me faktin se duhet të më shërbejnë se jam e bukur, apo diçka e tillë. Duhet të kalojmë përtej këtyre mendimeve dhe gjykimeve. Sot të qenit e bukur, apo jo shumë e bukur nuk duhet të jetë shumë e rëndësishme, por puna duhet të jetë matësi më i mirë i përcaktimit të meritës dhe shpërblimit që çdokush duhet të marrë.

Daniela ju në të ardhmen do të bëheni një…

Me pëlqen televizioni dhe bota e spektaklit. Derisa te kem freskinë dhe moshën e duhur do të angazhohem dhe përfshihem në këtë drejtim, por projektet afatgjatë janë që të vazhdoj dhe studimet për Drejtësi, meqë unë jam me bursë VIP në Universitetin Europian të Tiranës. Prandaj për mua do të jetë pikë shumë e rëndësishme studimi dhe qenia gjithnjë në kontakt me botën akademike. Kjo e fundit e plotëson njeriun dhe i jep më shumë sharm bukurisë së jashtme.

Cila është çmenduria më e madhe që keni bërë deri tani?

Si çdo e re edhe unë kam bërë çapkënllëqe të vogla, por të justifikueshme. Kemi ndenjur net pa gjumë duke shëtitur nëpër clube, duke pirë, duke kërcyer si të çmendura, por gjithsesi kjo në kuadrin e çlirimit nga energjitë negative që çdokush nga ne mund të ketë nevojë për t’i larguar nga vetja një fundjavë të lodhshme pune, apo udhëtimesh të gjata pune.

Ju jeni bërë edhe më e njohur për publikun e gjerë, që nga momenti që deklaruat haptazi lidhjen tuaj me reperin e njohur Noizyn, çfarë ju shtyu që ta bënit publike lidhjen tuaj?

Nëse do të më lejoni do ta përkufizoja pjesën e marrëdhënies me Rigels Rajkun (Noizy) si një miqësi e mirë dhe që unë gjithnjë kam dashur ta mbaj si diçka të rëndësishme, pasi është abuzuar shumë kohët e fundit me këtë fakt. Si një njeri, i cili mbart vlerat më të mira dhe formimi i një mashkulli ideal, ai ka qenë, është dhe do mbetet një njeri shumë i veçantë për mua. Për atë çka di të përcjellë tek unë. E meriton te gjithë përkrahjen dhe mirënjohjen time. Ka cilësi prej një artisti me zemër të madhe dhe një shpirt luftarak, ku vullneti dhe talenti i tij do ta bëjnë të jetë gjithnjë ON THE TOP.

Si jeni njohur ju të dy?

Miqësia ime me Noizyn ka filluar në një fotoshooting qe kemi pasur me mikun tim fotograf, Armand Sallabanda. Pas asaj dite ne kemi qene gjithnjë në kontakt. Këtë e ka favorizuar edhe fakti që ne jemi shumë afër me shtëpitë e njëri-tjetrit dhe jetojmë të dy në zonën e Plazhit të Durrësit. Ai shquhet për shpirtgjerësinë dhe sharmin e një mashkulli që herë pas here bën surpriza, të fton për darkë dhe gatuan për kënaqësi si një xhentelmen i vërtetë. Ky është Gelsi, djalin që do e dëshironte çdo femër, pasi është njeri mendje hapur që di të të kuptoje gjithnjë për çdo situatë.

Para disa javësh ju festuat ditëlindjen, çfarë morët si dhuratë?

Po sigurisht në përvjetorin tim të ditëlindjes, nuk kishte si te mungonte edhe miku im i veçantë, Noizy. Më bëri një surprizë në fakt, më tha se “po dal për vrap në bregdet” dhe në fakt u surprizova në darkën që më kishin bërë miqtë e mi, Leonard Kadrimi dhe Almarjo Xhebexhia, të cilët me këtë rast gjej mundësinë t’i falenderoj. Dhuratat ishin të pafundme, ndërsa Noizy kishte rezervuar  një buqetë lulesh plot aromë, shoqëruar me një kartolinë, në të cilën kishte një shkrim shumë simpatik dedikuar mua.

Ishit vërtet të dy nudo, në kopertinën e një reviste?

Jo aspak ajo nuk është nudo, por një foto verore, ku Noizy ka pasur të veshur një palë pantallona, ndërsa unë pjesën e poshtme të rrobave të banjos dhe një shall të zi. Diçka me vlerë artistike.

Ju jeni një vajzë që nuk keni tabu, çfarë nuk do të kishit bërë dot kurrë?

Me moralin dhe dinjitetin e tjetrit nuk do të luaja kurrë, ashtu sikurse unë nuk pranoj të cenohet morali im, apo dinjiteti njerëzor për te cilin familja ime dhe unë përpiqem ta ruaj ashtu siç më kanë mësuar. Me këto dy gjera nuk bëj kompromise, për asgjë në jetë.

Mendoni se lidhja me reperin është e vështirë, për shkak të famës së tij?

Absolutisht që jo. Shumë njerëz e komentojnë si një njeri te vështirë dhe shumë problematik, duke pasur pak parasysh edhe rrymën muzikore që ai lëvron, e cila është pak agresive, por në fakt Noizy është ndryshe. Mbetet i veçantë, duhet ta njohësh personalisht dhe të kuptosh çka mbart në të vërtetë ai njeri me zemër të madhe dhe shpirt te pamposhtur.

A jeni ju xheloze?

Aspak. As që duhet të ndodhë kjo.

Po ai për ju?

S’ka arsye.

Noizy ka një vajzë të vogël, e keni njohur ju vajzën e tij?

Po e kam njohur dhe më do shumë, pa masë. Është fëmija më i bukur dhe i zgjuar që mund të kem parë në jetë. Është një prerje fantastike e Noizyt. E adhuroj, kemi të dyja ditëlindjen në të njëjtën ditë. Zemra vogël, e puth sepse më ka marrë malli.

Cila do të ishte sakrifica më e madhe që do të bëje për hir të dashurisë?

S’e di. S’mund të parashikoj gjëra, për të cilat them se vijnë shumë natyrshëm. Çdo sakrificë duhet të jetë e justifikuar dhe e bazuar në arsye dhe jo thjesht nxitur nga ndjeja dhe pasioni i momentit, të cilat mund të të çojnë në gabim, apo pendesë. Unë jam shumë realiste dhe nuk jam shumë emotive si natyrë. Dallohem për një karakter të fortë dhe realiste mbi të gjitha.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit