Transmetuar më 25-07-2013, 12:05

Shkup, NOA.al – Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, Dunja Mijatoviç, ka dënuar sot vazhdimin e paraburgimit të gazetarit hulumtues, Tomislav Kezharovski në Shkup.

Gjykata penale në Shkup së fundmi ka vendosur të vazhdojë paraburgimin e gazetarit për 30 ditë të tjera. Ai ka kaluar tashmë 60 ditë në paraburgim që prej arrestimit fillestar më 28 maj, kur u arrestua lidhur me një artikull që shkroi në vitin 2008 për revistën “Reporter 92” në të cilën zbuloi identitetin e dëshmitari në një rast vrasjeje, njofton korrespondenti i Noa.al.

"Është e papranueshme që një gazetar të arrestohet për raportimin e tij. Unë tashmë kam ndërhyrë dy herë për këtë rast muajin e kaluar. Sot, jam veçanërisht e shqetësuar për faktin se gjykata ka zgjatur paraburgimin e tij për tridhjetë ditë të tjera,” tha Mijatoviç.

Tre ditë më parë, Kezharovski ka filluar një grevë urie në shenjë proteste për vazhdimin e  paraburgimit të tij. Ai thuhet se është në një gjendje të keqe mendore dhe fizike si rezultat i arrestimit të tij. Shoqëria civile dhe shumë kolegë të Kezharovskti tashmë kanë shprehur shqetësimin e tyre për gjendjen e tij.

"U bëj thirrje autoriteteve që të dëgjojnë këta zëra të shoqërisë civile, dhe gjithashtu i bëj apel Tomisllav Kezharovskit që të përfundojë grevën e urisë", tha Mijatoviç, duke nënvizuar rëndësinë e lejimit të gazetarëve për të kryer raportim hulumtues mbi çështjet e interesit publik. /n.p/o.k/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit