




Tiranë, NOA.al – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vijon të enjten rinumërimin e votave të qarkut Shkodër me hapjen e kutive të ZAZ-së 7 dhe 8. Ky proces pritet të përmbyllet mbrëmjen e sotme me përfundimin e rinumërimit të 417 kutive në total të kësaj zone zgjedhore.
Siç bën të ditur Noa.al, deri tani janë rinumëruar votat e 330 kutive, ndërsa dy KZAZ-të e fundit, nr. 7 dhe, 8 kanë respektivisht nga 45 dhe 42 kuti. Nga tetë KZAZ që ka ky qark KQZ ka rinumëruar deri tani votat e 6 prej tyre, nga ku nuk janë konstatuar parregullsi apo shkelje që të kenë ndikim në rezultat.
Kutitë e Shkodrës po numërohen në sallën e mbledhjeve të KQZ-së nga tetë grupe, me nga dy anëtarë, ndërsa procesi monitorohet nga përfaqësuesit e partive politike.
KQZ vendosi rinumërimin e votave në Shkodër, pas pranimit të ankesës së Partisë Republikane që kërkonte pavlefshmëri në këtë zonë zgjedhore, duke pretenduar se i është marrë një mandat. Por, kjo vendimmarrje e KQZ-së u ankimua nga PS në Kolegjin Zgjedhor, i cili, dje vendosi ta shtyjë shqyrtimin me themel të kërkesës në fjalë për më 26 korrik.o.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





