Transmetuar më 24-07-2013, 13:12

FC Shakhter Karagandy, ashtu si Skënderbeu, konsiderohet si një nga surprizat më të mëdha të raundit të dytë paraeliminator të UEFA Champions League.

Skuadra nga Kazakistani i largët eliminoi bjellorusët e BATE Borisov, një skuadër që vitet e fundit ka marrë jo pak duartrokitje në evenimentin arenë të kampionëve pasi fitoi edhe ndeshjen e dytë në “Shakhtyor Stadium” me një gol të Igor Zenkovich në minutën e 82-të.

Është pikërisht ky stadium me kapacitet prej 19 mijë vendesh që do të presë javën e ardhshme ndeshjen mes kampionëve të Kazakistanit dhe Skënderbeut.

Korçarët, më shumë se një skuadër e fikshme në parametra, mund t’i ndalojë në rrugën e tyre e panjohura që ofron kjo skuadër.

I krijuar në vitin 1958, Shakhter Karagandy e ka fituar titullin kampion vetëm dy herë gjatë dy sezoneve të fundit, ndërsa në vitin 2008 u përjashtua nga Premier League në Kazakistan për trukim ndeshjesh, ndërsa kualifikimi në raundin e tretë të një turneu europian është i pari, ashtu si edhe për kampionët e Shqipërisë.

Por nëse në fushë, Shakhter Karagandy është një skuadër që di të përshtatet mirë me futbollin modern, në letër ajo është një skuadër jo shumë e shtrenjtë pasi vlerën më të madhe ia jep kolektivi i ndërtuar nga trajneri rus, Viktor Kumykov.

Sipas faqes së specializuar transfermarket.com, vlera totale e skuadrës shkon rreth 5 milionë Euro, ndërsa lojtari më i shtrenjtë është mesfushori 32-vjeçar nga Armenia, Gevorg Ghazaryan.

Dy pikat më të forta në repartin e tërhequr janë mbrojtësit e kombëtares së Bosnje Hercegovinës, Nikola Vasiljevic dhe Aldin Dzidic, ndërsa pjesa më e madhe e lojtarëve kanë lindur në Kazakistan.

Në kampionatin aktual ku janë luajtur 20 javë, Shakhter Karagandy mban vendin e katërt në klasifikim me 28 pikë, 16 më pak se FK Aktobe që është edhe ekipi kryesues transmeton Supersport.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit