Transmetuar më 23-07-2013, 17:21

Tiranë, 23 korrik 2013, NOA.al- Kryeministri në detyrë Sali Berisha priti sot në takim një grup biznesmenësh amerikanë, që së bashku me familjet po bëjnë një vizitë në Ballkan për qëllime turistike dhe investuese.

Në përbërje të grupit janë Thomas L. Wentling nga kompania UBS, Stender E. Sweeney nga kompania Pasadena Angels, David McL. Hillman nga kompania PNC Riverarch Capital, Callie Wentling nga kompania Boulder Engineering Studio etj..

Ata e informuan Kryeministrin se erdhën në Shqipëri nga Kosova, duke kaluar nga rruga e Kombit dhe kjo, për ta, ishte një mrekulli, një rrugë e standardeve ndërkombëtare dhe një peizazh i mahnitshëm. Ata u shprehën se që në momentet e para e ndjenë se Shqipëria është një vend mikpritës, me potenciale të shumëllojta turistike dhe me një infrastrukturë moderne. Ata përgëzuan Kryeministrin për pamjen e Shqipërisë moderne, të arritur në sajë të lidershipit të tij dhe përballjen me sukses të ekonomisë shqiptare me krizën globale.

Kryeministri Berisha i falënderoi për interesin turistik dhe investues ndaj Shqipërisë dhe ju uroi mirëseardhjen dhe qëndrim të këndshëm në Shqipëri.

Me kërkesën e tyre, Kryeministri u bëri një ekspozim të ekonomisë shqiptare, zhvillimeve të saj dhe potencialeve që ju ofrohen investitorëve. Ndër sektorët më pikantë për nga potencialet e zhvillimit, Kryeministri përshkroi turizmin e shumëllojshëm, detar, malor, kulturor dhe aventuror. Kryeministri identifikoi si një nga sektorët që ka bërë hop të madh në gjashtë vitet e fundit, energjinë dhe sidomos sektorin e prodhimit të energjisë hidro, përkrah interesit për energjinë e erës dhe asaj diellore.

Po ashtu, klima e biznesit me taksën e ulët të sheshtë, lehtësimi i procedurave, heqja e taksave për imputet bujqësore e industriale si dhe kapitalin etj., janë një tjetër avantazh që ofrohet në Shqipëri për investitorët e huaj.

Investitorët shprehën shqetësim nëse këta faktorë nxitës e tërheqës për ta do të mbahen nga qeveria e re në vazhdim. /a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit