

Prishtinë, 23 korrik 2013, NOA.al- Një operacion i policisë së Prishtinës i koduar “Ereniku” ka bërë të mundur goditjen e një grupi kriminal nën akuzën e kontrabandimit të migrantëve dhe krimit të organizuar.
Hetimet për këtë operacion kanë nisur një vit më parë, ndërsa ditën e sotme është bërë arrestimi i tetë personave të dyshuar për krim të organizuar.
Operacioni i koduar me emrin “Ereniku”, ka rezultuar me kontrollimin në gjashtë qytete të Kosovës, Prishtinë, Ferizaj, Shtime, Prizren, Rahovec dhe Pejë në gjithsej trembëdhjetë vendndodhje të ndryshme, ku me këtë rast është arrestuar grupi i të dyshuarve, të cilët në vazhdimësi kryenin veprat penale të kontrabandimit të migrantëve.
Të dyshuarit me qëllim të përfitimit të shumave të mëdha financiare, organizonin grupe të qytetarëve të Kosovës, me qëllim të kontrabandimit të tyre në shtetet e perëndimit.
Ata për këtë qëllim shfrytëzonin vijat e rregullta të udhëtimit kryesisht nga qytetet e Kosovës në drejtim të Serbisë, për të kaluar fillimisht në Hungari e më taj në shtetet tjera evropiane.
Të ndaluarit janë 8 shtetas të Kosovës, Sh.S 56 vjeç; B.B 41 vjeç; S.B 44 vjeç; L.B 37 vjeç; B.V 43 vjeç; P.H 38 vjeç; M.K 41 vjeç dhe E.G 37 vjeç.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një numër i madh pasaportash, letërnjoftime, formularë, lista udhëtarësh, 3 pistoleta të kalibrave të ndryshëm; një pushkë automatike; 3 pushkë gjuetie; 150 fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe 22 telefona celularë. /a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





