Transmetuar më 23-07-2013, 15:20

Prishtinë, 23 korrik 2013, NOA.al- Mbi 30 shqiptarë që janë arrestuar brenda kampeve të Hungarisë, do të dërgohen në burgje pasi u është caktuar dënimi për vuajtje deri në gjashtë muaj.

“Jemi më shumë se 30 shqiptarë të Kosovës që sot në ora 16:00 do të transferohemi nga kampi për në burg”, ka thënë nëpërmjet telefonit njëri prej azilantëve Shpejtim Tara.

Ai shprehet shumë i shqetësuar me gjendjen që po mbahen në kamp.

“Ne kemi kërkuar azil në Hungari, por nëse na kërkojmë që të kthehemi në Kosovë, janë disa procedura që duhen ndjekur, të shkojmë për tre muaj në burg e pastaj prej aty na depertojnë nga Hungaria”, thotë Shpejtim Tara.

Ministrja e Integrimit Europian Vlora Çitaku ka thënë se azil jashtë Kosovës kanë kërkuar rreth 6 mijë persona. Ndërkaq, në një komunikatë të Ministrisë së Punëve të Jashtme në Hungari po presin kthimin e tyre për në Kosovë rreth 500 persona.

“Ministria është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet hungareze lidhur me fasilitimin e procedurave të kthimit, rrjedhimisht kthimin sa më të shpejtë të tyre në Kosovë”, është zotuar MPJ.t.k/a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit