

Shkup, 23 korrik 2013, NOA.al- Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikolla Popovski theksoi sot në Bruksel se Greqia duhet të përkushtohet për zgjidhjen e kontestit të emrit dhe të shmanget bllokimi i vendit në rrugën e integrimit europian.
Popovski i shoqëruar nga zëvendëskryeministri për eurointegrime, Fatmir Besimi këtë deklaratë e bëri pas takimit me përfaqësuesen e lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton.
Ministri Popovski theksoi se baroneshën Ashton e ka njoftuar për përpjekjet e Maqedonisë në planin e tejkalimit të dallimeve me palën greke për zgjidhjen e kontestit të emrit, por ai është ankuar lidhur me anashkalimin e këtij procesi nga ana e Athinës. “Ne gjithashtu kemi shprehur përkushtimin tonë edhe në planin e integrimit europian dhe është e domosdoshme që vendit ti mundësohet përparimi drejt anëtarësimit në BE, duke vlerësuar të arriturat në planin e brendshëm të reformave”, theksoi ministri Popovski.
Ai theksoi se Shkupi është i fokusuar në dialogun për zgjidhjen e kontestit të emrit, por sipas tij, një gatishmëri e tillë duhet edhe nga pala greke. Ministri Popovski theksoi se pret sinjale pozitive nga Athina dhe Brukseli, me qëllim të shmangies së obstruksioneve afatgjata në planin e integrimeve euroatlantike. Baronesha Ashton ka vlerësuar siç thuhet përparimin e vendit në planin e reformave dhe rrugën drejt integrimeve europiane. Por ajo gjithashtu ka shprehur interesin dhe kërkesën për gjetjen e zgjidhjes së shpejt për dallimet për kontestin e emrit midis Shkupit dhe Athinës./n.p/a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





