Transmetuar më 22-07-2013, 23:42

Podgoricë – Autoritetet në Malin e Zi nuk po bëjnë një luftë efektive për të neutralizuar aferat korruptive në sistemin shëndetësor, veçanërisht në fushën e prokurimeve publike si dhe në shpërndarjen e barnave për pacientët.

Këtë konstatim e publikoi të hënën, përmes një raporti vëzhgues, Qendra për Monitorim dhe  Hulumtim – CEMI në Malin e Zi.

Kjo qendër vlerëson se ka një trajtim jo të shpejtë dhe jo produktiv të problemeve me korrupsionin në sistemin e shëndetësisë të këtij vendi, duke u ndalur në fusha konkrete.

Sipas raportit të bërë publik, fushat e sistemit shëndetësor të cilat janë më të ekspozuara ndaj mundësisë për korrupsion janë prokurimet publike si dhe regjistrimi dhe distribuimi i barnave.

Autoritetet e kanë pranuar situatën problematike dhe para disa kohësh kanë shpallur një plan kombëtar për luftën ndaj korrupsionit në sistemin shëndetësor të Malit të Zi.

Por për CEMI, plani operacion kombëtar që nisi qeveria për luftën kundër korrupsionit në shëndetësi, nuk ka sjellë rezultate optimiste.

‘Është konstatuar se disa qëllime janë plotësuar kurse disa të tjera vetëm pjesërisht, por këto rezultate nuk janë shumë të rëndësishme”, – u shpreh drejtorja e repartit për hulumtimin e politikave publike të CEMI-it, Ana Selic (photo).

“Mungojnë hapa konkretë të cilët do të pengonin korrupsionin në proceset e prokurimeve publike, në distribuimin dhe në regjistrimin e medikamenteve por edhe në raportet mjek-pacient”, – tha Selic.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit