

Shkup, NOA.al – Zëvendëskryeministri për eurointegrim i Maqedonisë, Fatmir Besimi kërkoi sot vazhdimin e punës së komisionit hetimor për zbardhjen e ngjarjeve të 24 dhjetorit në Parlamentin e Maqedonisë.
Besimi theksoi domosdoshmërinë e funksionimit të këtij komisioni, pasi zbardhja e ngjarjes së 24 dhjetorit të vitit të kaluar në Parlamentin e Maqedonisë është një kusht nga Bashkimi Evropian, raporton korrespondenti i Noa.al.
Ngjarja e 24 dhjetorit ka të bëjë me Parlamentin e Maqedonisë, ku u opozita u nxor dhunshëm nga Parlamenti dhe më pas maxhoranca pa asnjë debat miratoi projekt – buxhetin për vitin 2013. Përveç deputetëve të opozitës, jashtë sallës së Parlamentit u nxorën edhe gazetarët, ndërsa në ambientet e jashtme pati protesta të opozitës dhe nga ana tjetër përkrahës të partisë maqedonase në pushtet VMRO-DPMNE.
Formimi i komisionit anketues për ngjarjet e 24 dhjetorit, është një nga aspektet themelore të marrëveshjes politike nga 1 marsi i cili u arrit me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. “Komisioni u përcaktua me konsensus mes faktorëve të prekur politikë dhe në periudhën e kaluar Komisioni punoi vazhdimisht me qëllim që në afat sa më të shkurtër të përgatitet raporti. Kjo po ashtu u përshëndet nga Komisioni Evropian si një sinjal pozitiv dhe kurajë që të identifikojnë arsyet që çuan deri në ngjarjet e 24 dhjetorit dhe të adresohen në mënyrë të përshtatshme, thuhet në reagimin e kabinetit të zv.kryeministrit, Fatmir Besimi. /n.p/o.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





