

Dita e mirë duket që në mëngjes. Kjo fjalë e urtë popullore duket se për momentin i shkon për shtat mesfushorit të kombëtares shqiptare Migjen Basha.
26 vjecari i evidentuar në fillim të këtij viti si një futbollist i rëndësishëm për kombëtaren shqiptare, shihet si i tillë edhe për klubin në të cilin aktivizohet, Torino.
Në një intervistë të dhënë për të përditshmen italiane La Stampa, Basha flet për kombëtaren, De Biazin dhe ndryshimet në jetën personale.
“Nëse kualifikohemi për në Brazil do të na bëjnë një statujë në Shqipëri. Është e vështirë por mund të shkojmë në playoff.
Nëse do të kualifikohemi me kënaqësi do të heq dorë nga muaji i mjaltit. Do të martohem pas pak ditësh, sapo të përfundojë grumbullimi në Bormio.
Kthehem në Kosovë për tre ditë feste dhe martohem më 31 korrik me Desan. Jemi njohur në Zvicër. Flas shpesh me De Biazin, dhe ai më thotë “për të qëndruar tek demat duhet të jesh një dem, kështu që mos më mërzit dhe rri aty”.
Ai është ndjerë mirë në Torino por i vjen keq për mënyrën se si shkuan gjërat. Kjo është jeta, por ne tani me kombëtaren mund të luajmë në ndeshjet play of të botërorit falë De Biazit që po bën një punë të mrekullueshme. Po kërkon futbollistë dhe i provon të gjithë. Kush e meriton grumbullohet”.
Ky pritet të jetë një sezon i rëndësishëm për Migjenin edhe në rang klubesh, pasi pritet që çelsat e mesfushës, trajneri Ventura tia besojë pikërisht futbollistit kosovar, që mbetet një nga më të vjetrit në ekip.
“Unë jam këtu dhe disa përgjegjësi duhet ti mar përsipër.
Kjo edhe sepse është hera e parë që i përkas plotësisht një skuadre, gjë që nuk ka ndodhur asnjëherë që kur kam ardhur në itali.
Që nga 2005 kam njohur vetëm huazime dhe bashkëpronësi, por tani jeta ka ndryshuar. Më parë nuk ndjehesha i qetë pasi isha gjithë kohës në pikëpyetje.
Mendoja se mund të më largonin nga njëra ditë në tjetrën, ndërsa tani shpresoj të rri sa më gjatë. Kjo sepse ndjehem krenar që jam te Toro dhe më gëzon fakti që klubi beson tek unë.
Kontrata më skadon pas dy vjetësh, por në shtator mund të rinovojmë”.
Edhe sezonin e kaluar Basha e nisi mirë duke premtuar për një vend titullari, që më pas u venit. Arsyet i tregon vetë mesfushori. “Ishte faji im që luajta pak sezonin e kaluar. E nisa mirë por më pas kisha probleme me kaviljen dhe nuk shkova as tek mjeku dhe as tek trajneri.
Nuk stërvitesha në 100% të mundësive pasi kërkoja të ruaja vendin. Ja përse dola jashtë formacioni, por mu desh pak kohë për të rikuperuar dhe më pas trajneri më riktheu besimin. Shpresoj të kem rritje në krahasim me vitin e kaluar, pasi më parë ekzistonte ankthi se nuk kisha luajtur ndonjëherë në Serinë A”. Këtë vit skuadrës i janë larguar dy futbollistë të rëndësishëm si sulmuesi Bianchi dhe mbrojtësi Ogbona. Si një lider Migjen Basha tregon objektivin e skaudrës, duke lënë mënjanë atë personal, ndoshta një gol në derbi ndaj Juventusit. “Jo një gol i imi, por dua rezultat të mirë në derbi. Duhet të mësojmë të mos gabojmë nga mungesa eksperiencës, të evitojmë gabimet foshnjarake dhe të marim pikë me skuadrat e mëdha.
Objektivi është një dhe i vetëm, të bëjmë më shumë pikë sesa sezonin e kaluar”. Gjithashtu 26 vjecari i kuqezinjve tanë theksoi se nuk ka ndërmend të ndërrojë fanellën me askënd, edhe pse e vetmja fanellë që ka kërkuar është ajo e kapitenit të interit Javier Zanetti, transmeton Supersport.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





