Transmetuar më 22-07-2013, 14:58

Ministrat e Punëve të Jashtme të Greqisë dhe Turqisë vlerësuan sot rëndësinë gjeopolitike të projektit për gazsjellësin nga Deti Kaspik, që kalon përmes dy vendeve dhe Shqipërisë dhe çon gazin drejt Evropës.

Gjatë një takimi me homologun turk, Ahmet Davutoglu, në Ankara, ministri i Jashtëm i Greqisë, Evangjelos Venizelos u shpreh se projekti ka rëndësi transformuese të terrenit gjeopolitik në rajon. "Ky projekt përbën një marrëdhënie të re Turqi-Greqi në fushën e energjetikës, me bazë projektin Trans Adriatic Pipeline (TAP), vepër që pritet të transportojë gazin natyror nga brigjet azere të Detit Kaspik përmes Greqisë, Shqipërisë dhe Detit Adriatik drejt Italisë e më tej drejt të gjithë Evropës Perëndimore dhe cilësohet një projekt miqësie", theksoi Venizelos.

Gjatë një konference me gazetarët, të dy kryediplomatët e konsideruan projektin një urë energjetike. Dy palët kanë rënë dakord në progresin e një serie marrëveshjesh bilaterale të nënshkruara gjatë punimeve të takimit të Këshillit të Lartë për Bashkëpunim, që u zhvillua në Stamboll, më 4 mars.

"Gazsjellësi përbën një korridor të ri në marrëdhëniet turko-greke", u shpreh Davutoglu nga ana e tij, ku shtoi se "kjo zonë do t’i theksonte edhe më tepër marrëdhëniet bilaterale…".  "Edhe vende të tjera mike të Ballkanit mund të përfshihen në këtë zonë", theksoi ai. Lidhur me pyetjen mbi çështjen e një zone ekonomike ekskluzive mes Turqisë dhe Greqisë, Davutoglu deklaroi se shpresonte në realizimin e saj. Problemet lidhur me Detin Egje dhe zonat e bashkëpunimit po trajtohen nga një mekanizëm ekzistues.

"Në vend të deklaratave unilaterale, të dyja palët duhet të theksojnë dhe zgjerojnë fushat e bashkëpunimit… Shpresoj shumë në realizimin e këtyre synimeve, kam besim se mund t’i bashkojmë të dyja anët e brigjeve të Egjeut përmes turizmit dhe tregtisë, siç kemi bërë në Edirne, përmes energjetikës", theksoi ai.o.k/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit