Transmetuar më 22-07-2013, 14:29

Tiranë, NOA.al – Kandidati  për  kryetar  i  Partisë  Demokratike,  Lulëzim  Basha  ndërsa votoi për zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë, ku ai është një nga kandidatët iu referua zgjedhjeve të 23 qershorit duke thënë se, “ky është rasti kur krahasojmë edhe njëherë qartazi identitetin tonë, vlerat tona politike, vlerat që rrezatojnë për shoqërinë shqiptare sot, vlerat mbi të cilat ne kemi ndërtuar trashëgiminë tonë politike me antivlerat e turpshme, me diskretitimin që i bëhet sot vendit, nëpërmjet vjedhjes dhe deformimit të vullnetit të qytetarëve shqiptarë, siç provojnë kutitë e Lezhës”.

Ai e ka  konsideruar  të  turpshme,  vjedhjen dhe deformimin e  votës nga ana e PS,  faktuar tashmë nga hapja e kutive të qarkut të Lezhës dhe tentativën e kryesocialistit për të penguar transparencën e plotë të këtij procesi.

“Por  akoma më keq ne sot hasim tentativën institucionale të kryesocialistit Rama, për të penguar atë që kërkon sot çdo shqiptar, transparencën e plotë, pa kontestuar rezultatet e konfirmuara, në raport me ligjin dhe Kushtetutën. Askush nuk  mund t’i mohojë asnjë shqiptari të shikojë në dritën e diellit se si dhe çfarë ka ndodhur, në rrethanat kur faktorë të krimit të organizuar kanë marrë përsipër mëkatin e pashlyeshëm dhe që nuk mund të jetë kurrë i pandëshkueshëm, të deformimit të vullnetit të qytetarëve shqiptarë”.

Sipas  Bashës,  kjo  është  një  çështje  që  i  përket  çdo  shqiptari   dhe  nuk  mund  të shkelmohet,  për  të  fshehur  aktet  banditeske  dhe  kriminale  të  cilat  qëndrojnë  në  themel të veprimtarisë së PS dhe  ngurrimit  të pafalshëm  të saj,  dënojë një orë e më parë këtë barbari mbi vullnetin e qytetarëve shqiptarë.

Ai u tha gazetarëve se, shprehte mirënjohjen  për të gjithë anëtarët dhe militantët e PD, që u angazhuan në një proces  të vërtetë dhe historik për zgjedhjen e kryetarit, me parimin një anëtar – një votë.

“Dua t’i falënderoj për shpirtin demokrat, vlerat pozitive të këtij shpirti që lartësohet nga idealet dhe aspiratat e themeluesve tanë, që mori vlera gjatë qëndresës sonë, që merr vlera edhe sot dhe i përçon këto vlera, anembanë shoqërisë shqiptare”, theksoi Basha.o.k/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit