

Prishtinë 22 Korrik 2013, NOA.al –Ish presidenti i Republikës së Kosovës, njëkohësisht edhe ish lider i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka shprehur sërish gatishmërinë që të kthehet sërish në krye të këtij subjekti. Ai e ka akuzuar kreun aktual të LDK-së Isa Mustafën se po e përdor partinë si trampolinë të rastit për t’i përmbushur ambiciet personale.
“Kam ambicie të jem në LDK ashtu siç kam qenë. Nëse LDK-ja mendon se në një proces normal të kem angazhime më të drejtpërdrejta, më aktive dhe në role të rëndësishme, unë jam këtu. Jam i gatshëm në procese normale dhe me besimin e anëtarësisë”, ka thënë Sejdiu.
Ai ka thënë se kishte shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me Isa Mustafën dhe për ta çuar LDK-në përpara, por sipas tij, ky i fundit nuk e ka pranuar gatishmërinë e tij.
“Në lidershipin e LDK-së ka njerëz pa rezultate, ka edhe asi (të tillë) që nuk kanë kaçik t’i kryejnë me përgjegjësi funksionet e ngarkuara”, është shprehur Sejdiu.
t.k./noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





