Transmetuar më 22-07-2013, 08:58

Kristofer Frum është mbreti i ri i Tour de France.

Ciklisti britanik me origjinë nga Kenia, pedaloi triumfator mbi Champ Elise, bulevardin e kampionëve, duke u bërë një ndër emrat e shumtë në historinë 100 vjeçare të këtij rrethi çiklistik që mbulohet me lavdi.

Në etapën e fundit, fanella e verdhë e Turit nuk e pati aspak problem të ruante avantazhin e tij prej pesë minuta me ndjekësin më të afërt, Aleksandër Kuintanën, madje duke shijuar dhe shampanjën në rrugën e tij drejt finishit, në një garë ku fitorja shkoi për specialistin e garave të shpejta Marcel Kittel, që mundi në fotofinish Cavendish dhe Greipel.

Në një tur të tronditur nga skandali i dopingut, Kristofer Frum mundi të triumfojë duke marrë kryesimin që në etapën e nëntë për të mos e lëshuar më, madje dhe duke e ruajtur atë në etapa sfilitëse si ato mes Alpeve, falë dhe punës së jashtëzakonshme të gregarëve të skuadrës së Team Sky, që i krijuan korridoret e nevojshme dhe e udhëhoqën në ruajtjen e diferencës me ndjekësit e tij.

Në suksesin më të madh në karrierë, Froome mundi të triumfonte në total në tre etapa, të 8-tën, 15-tën, dhe 17-tën, duke ndryshuar madje shpeshherë rivalët që e ndiqnin nga Valverde, te Contador e deri te Kuintana, që në fund u desh të kënaqej me fanellën me pika, atë të maloristit më të mirë.

Frum triumfoi sepse asnjëherë nuk u dorëzua duke besuar te triumfi i tij, duke dalë përtej vetes për të regjistruar suksesin më të madh në karrierë, me fanellën e verdhë, mbi bicikletë në qytetin e dashurisë, Parisin, i cili që tani do të kujtohet dhe si dashuria e parë e madhe e karrierës së tij, transmeton Supersport.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit