

Sokol Olldashi, kandidat për kreun e ri të Partisë Demokratike, e ka anuluar takimin përmbyllës që kishgte planifikuar të zhvillonte mbrëmjen e së dielës në Tiranë, pasi në të njëjtën orë me të, në Pallatin e Kongreseve, rivaloi i tij Lulzim Basha kishte mbledhur rreth 3-4 mijë mbështetës të PD në një tjetër takim përmbyllës.
Duke pohuar publikisht se kishte lënë një takim në pallatin e sportit "Asllan Rusi" në Tiranë, z.Olldashi tha në një publikim të bërë mbrëmjen e së dielës se “e anullova sepse m’u duk jo e bukur për PD që paralelisht të zhvilloheshin dy takime në të njëjtën kohë”.
Për z.Olldashi kjo do të dukej “si një ndarje demokratësh”, duke shtuar: “Dhe ne nuk kemi nevojë për asgjë të tillë”.
Olldashi nga ana tjetër i bëri ftesë rreth 106 mijë anëtarëve të PD që të hënën të marrin pjesë në votim “dhe të votoni projektin tim për rikthimin e shpejtë të PD-së në shumicë”.
Më herët të dielën, z.Olldashi doli me një deklaratë për shtyp nga selia e PD, dalje që ishte dhe fjala përmbyllëse e fushatës së tij për zgjedhjet e 22 korrikut në PD.
Duke bërë një bilanc të 19 ditë fushatë, z.Olldashi tha se “kemi konkluduar së bashku se ky është një moment historik për Partinë Demokratike dhe për gjithë shoqërinë shqiptare”.
Olldashi vlerëson se mënyra më e mirë për të shënuar një fillim të ri dhe një rikthim të shpejtë, është që, mbi gabimet të ndërtojmë një eksperiencë dhe mbi eksperiencën një platformë suksesi.
Në vijim ai prezanton dhe një përmbledhje me pikat kryesore të platformës së tij:
“Ne na duhet me shpejtësi të përcaktojmë se: – vetëm duke iu përmbajtur në mënyrë rigoroze kufijve politikë të qendrës së djathtë, – duke identifikuar qartësisht një skenë politike dypolare me partinë e vjetër të punës të rithemeluar në 1 prill në njërën anë dhe Partinë Demokratike në anën tjetër – duke konsoliduar marrëdhënien tonë me të përndjekurit, pronarët, botën akademike, të rinjtë dhe biznesin, – duke ndërmarrë një opozitë parlamentare energjike, të paepur, të mirëstrukturuar dhe të pakompromis – duke riorganizuar mekanizmin e Partise Demokratike, përmes inventarizimit të menjëhershëm të kontributeve të secilit anëtar, përmes konsolidimit të mekanizmit të përgjegjësive dhe stimujve, përmes rikthimit tek struktura baze e PD-së të cdo të drejte përfaqësimi dhe përmes riorganizimit dhe reformimit të thellë të cdo strukture të Partisë Demokratike, nga seksioni më i vogël, deri tek kryesia qendrore”.
Në këtë pikë, z.Olldashi konsideron se vetëm kështu, Partia Demokratike do të rikthehet tek fitorja, në përballjen e parë elektorale, zgjedhjet lokale të vitit 2015. Olldashi tha se mund t’i drejtojë demokratët në këtë sipërmarrje të vështirë, por e quan të arritshme, duke renditur arsyet e mëposhtme:
“- E njoh strukturën e partisë demokratike në nivele të ndryshme, nga antar i thjeshtë deri në nivelet më të larta drejtuese – Kam eksperiencën e duhur opozitare për të ngritur një veprim politik efikas – Kam prezencën parlamentare që më jep mundësinë ta kthej foltoren e kuvendit në një tribunë të opozitës – Kam 24 orë në ditë, në dispozicion të ristrukturimit, opozitarizmit dhe fitores së shpejtë të Partisë Demokratike”.
Në përfundim të fjalimit, z.Olldashi siguron se “cilido qoftë rezultati i këtyre zgjedhjeve, unë do të vazhdoj me të gjithë energjithë e mia, të punoj për suksesin e Partisë Demokratike dhe për ringritjen e demokratëve dhe të parimeve të shenjta tek të cilat ne bashkarisht besojmë”. /a.b/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





