Transmetuar më 20-07-2013, 19:34

Të gjithë e njohim si këngëtare të muzikës së lehtë shqiptare, e cila është ngjitur edhe në skenat botërore duke përfaqësuar Shqipërinë. Kjo është Kejsi Tola, këngëtarja që është diplomuar këtë vit në Akademinë e Arteve për kanto. Para pak ditësh ajo ka bërë edhe performancën e saj të parë si soprano, dhe pikërisht këtë eksperiencë të saj të parë e ndan edhe me lexuesit. Në një intervistë dhënë gazetës “Koha Jonë”, mes të tjerash ajo thotë se asnjëherë nuk do të mund të ndajë këto dy zhanre muzikore nga njëra-tjetra dhe se në fillim të sezonin tjetër do të sjellë edhe projekte të reja për të gjithë fansat e saj të muzikës së lehtë. 

Sapo keni interpretuar në një koncert me arie të ndryshme operistike, na flisni pak më shumë në lidhje me këtë eksperiencë…

Në të vërtetë ishte një koncert i ndërtuar mizanskenat dhe me arie nga personazhe të operave të ndryshme. Unë studioj në Akademinë e Arteve për kanto dhe këtë vit mbylla diplomën e vitit të tretë. Kam nisur studimet për këtë degë që në vitin e parë të shkollës së mesme edhe pse këto tre vite të Akademisë i kam dhënë asaj më shumë përparësi si dhe mendova se ishte momenti i duhur, kur unë duhej të provoja veten dhe të shihja se çfarë isha e aftë të jepja në skenën e muzikës klasike, pasi nuk është e njëjta gjë me atë të muzikës së lehtë.

Ishte kjo eksperienca juaj e parë, u ndjetë me shumë e trembur apo e preokupuar për atë që do të interpretonit?

Isha shumë e emocionuar mund të them më shumë se asnjëherë edhe pse mund të duket e çuditshme. Ndonjëherë çuditesha me veten por ishte një provë e parë të cilën duhej ta kaloja me sukses, pasi përballesha me një skenë dhe një publik sigurisht artdashës, por fansa të një tjetri zhanër muzikor këtë herë.

Pas kësaj eksperience, mendoni se dashuroni më shumë muzikën klasike apo atë të lehtë?

Nuk mund të jap konkluzione për këtë pyetje, pasi është e njëjta gjë si t’i thuash një prindi cilin nga fëmijët do më shumë, apo mund të veçojë nga të tjerët, por secila prej tyre ka magjinë e vet kur iu jep rendësin e duhur.

Nuk jeni këngëtarja e parë që studioni për kanto dhe lëvroni zhanrin e muzikës së lehtë, çfarë mendoni se keni më shumë ju këngëtaret që mbaroni studimet pikërisht në këtë degë?

Muzika klasike është baza e të kënduarit dhe kjo mendoj se na jep avantazh, Pikërisht fakti që e studiojmë me detaje dhe në mënyrë profesionale mënyrën e të kënduarit, frymëmarrjen, aparatin jemi më të vetëdijshëm ndonjëherë për atë që bëjmë dhe ky mund të them se është një avantazh.

Duke qenë se jeni ngjitur në skenë shumë e vogël, njerëzit ju kujtojnë gjithmonë të tillë, por në të vërtetë sa vjeç është Kejsi dhe si rrjedh jeta e saj sot?

Unë jam 21 vjeçe dhe siç ju thashë edhe pak më parë sapo kam mbaruar vitin e tretë në Akademinë e Arteve. Përveç shkollës, ashtu siç mund të më kenë parë shumë nga lexuesit tuaj, një nga gjërat që e bëj përsëri me shumë dashuri janë performancat live, gjatë fundjavave apo edhe pjesëmarrjet në festivale të ndryshme, në këtë mënyrë jam munduar të jem më pranë publikut, duke iu dhuruar emocione besoj, por edhe duke marrë prej tyre shumë sadisfaksion, një nga arsyet që më bën të them se nuk do të ndaloj kurrë së kënduari.

E kishit të vështirë që të ngjiteshit në skenë këtë herë edhe me këngëtarë të tjerë, duke qenë se ju jeni pothuajse gjithmonë vetëm para publikut?

Jo, kjo ishte një nga lehtësirat e kësaj performance të parë, pasi kisha përkrahjen e shokëve të mi të klasës me të cilët ndava si emocionet ashtu edhe përgjegjësitë.

Çfarë përgatitje fizike kërkon një rol në një opera, i cili zgjat shumë më tepër se sa 4 minutat që zgjat një këngë e muzikës së lehtë?

Kjo është një nga arsyet që e bën muzikën klasike të mos jetë e lehtë. Përveçse një regjimi të mirë, sidomos përpara shfaqjeve derisa të arrish aty, muzika klasike kërkon një parapërgatitje disa vjeçare përpara se të jesh gati të jesh i aftë ta këndosh atë si duhet.

A ju kanë ardhur oferta të tjera në lidhje me rolet në ndonjë projekt të ri operistik?

Unë jam akoma studente megjithëse mbarova tre vite akademike. Kam edhe dy vite të tjera studimesh, të cilat do të më ndihmojnë të perfeksionohem edhe më shumë e që janë të domosdoshme për formimin tim profesional. Por do të mundohem që të jem prezent edhe në aktivitete si ky i fundit pasi më duhet akoma eksperiencë për të marrë përsipër një rol të madh.

Të interpretosh në një opera duhet të jesh edhe pak aktore, ju si ia dolët?

Kjo është një nga pjesët më të rëndësishme të interpretimit klasik. Ne kemi bërë në vitin e dytë mjeshtri aktori si dhe këtë vit, klasën e operës me profesor Nikolin Gurakuqin, i cili ishte edhe ideatori dhe drejtuesi artistik i këtij koncerti me arie nga opera te ndryshme, me mizanskena të shkurtra dhe të vogla. Kjo është një nga pjesët që ta vështirëson pak punën, por që opera nuk do të kishte kuptim pa interpretimin dhe përjetimin personal të këngëtarit, sikur të ishte vërtet personazhi që po interpreton, pasi ai në ato 2 orë është personazhi.

Stina e verës është një stinë e prurjeve ne muzikën e lehtë, a do të kemi ndonjë projekt tuajin në lidhje me muzikën e lehtë?

Kam qenë shumë e ngarkuar me shkollën, për vetë faktin se këtë vit mbroja diplomën, dhe besoj se në shtator, d.m.th., në fillimin e sezonit tjetër do të përfundoj një projekt që e kam nisur disi.

A ka ndonjë rol që e keni ëndërr ta interpretoni?

Ka shumë role të bukura të cilat do të doja t’i interpretoja për mos thënë që të gjitha rolet kanë magjinë dhe bukurinë e tyre, kështu që nuk mund t’i vendos gishtin askujt. Ndoshta kur t’i këndoj do të kem një të preferuarin tim, por tani dua t’i provoj të gjitha.

Si do të jetë kjo verë për ju, e ngjeshur me angazhime apo do të pushoni më shumë?

Do të jetë e alternuar edhe me disa ditë pushime por sigurisht që do të ketë edhe ditë pune. Ende nuk kam menduar për një vend të saktë, por e kam vendosur që këtë vit do t’i kaloj pushimet në Jug dhe nuk do të lëviz jashtë Shqipërisë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit