Transmetuar më 19-07-2013, 13:59

Prishtinë, 19 korrik 2013, NOA.al- Çelet në Prishtinë, në Muzeun e Kosovës, ekspozita e përbashkët Kosovë-Shqipëri, ku u prezantuan artefakte arkeologjike të periudha të ndryshme, nën emrin “Një Komb, Një Kulturë”.

Nga ana e tij, ministri shqiptar i TKRS-së, Visar Zhiti tha se “ne nuk jemi për të përgjysmuar kulturën, por duke qenë një kulturë me dy ministra, me dy ministri, me dy qeveri, do të dyfishojmë energjitë tona për të arritur tek ëndrra, për të arritur tek dëshira, për të arritur tek e ardhmja, projektet e përbashkëta. Realizimet e përbashkëta janë vërtetë ngazëllyese, por kanë dhënë frytet e tyre. Jo vetëm një abetare të përbashkët, por do të kemi edhe qendrat e kulturës nëpër botë të përbashkëta, ashtu si shtëpitë e përbashkëta tona që kanë një histori tonë të përbashkët, me investime të përbashkëta po restaurohet për t’ju kthyer historisë, për t’ju kthyer ndërgjegjes tonë kombëtare”.

Zhiti shtoi se duke ruajtur kulturën dhe traditën, të dy vendet, por mbi të gjitha kombi shqiptar, do të ketë një ardhme më të ndritur.

Gjatë takimit me ministrin Zhiti, ministri Krasniqi u shpreh se “Kosova dhe Shqipëria janë një model shembull i bashkëpunimit në shumë fusha, e veçanërisht në kulturë dhe trashëgimi, aspekte këto që rrëfejnë një histori për kombin shqiptar”.

“Gjithmonë objektiv i bashkëpunimit tonë ka qenë forcimi i lidhjes mes dy vendeve tona, promovimit, ruajtjes të kulturës dhe traditës sonë. Ka shumë aspekte, ku ne kemi krijuar traditë të aktiviteteve të përbashkëta, qoftë në teatër, film, libër, muzikë dhe trashëgimi. Në këtë rrafsh është edhe hapja e ekspozitës së kulturës materiale në Muzeun e Kosovës, nën emrin "Një Komb, Një Kulturë’, për herë të parë në Kosovë, e që përben një prej punëve më të mira të përbashkëta që kemi bërë. Unë besoj se kjo është veç një nisje e projekteve tona të mëdha për të ardhmen”, tha Krasniqi.

Ai vlerësoi personalitetin e ministrit Zhiti si dhe kontributin që ka dhënë për kulturën dhe trashëgiminë shqiptare nëpër vite, në karrierën e tij si shkrimtar.

Të dy ministrat gjatë konferencës së përbashkët për shtyp shprehën përkushtimin që bashkëpunimi mes dy vendeve të shkojë gjithnjë në rritje, duke theksuar këtu potencialin e madh që është tek të rinjtë, qoftë për arte dhe kulturë.

Ekspozita e trashëgimisë së kulturës materiale “Një Komb, Një Kulturë” është përgatitur në bashkëpunim me Institutin e Monumenteve të Kulturës së Shqipërisë dhe Muzeut të Kosovës. Ajo mbahet nën patronazhin e Ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Visar Zhiti si dhe Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Memli Krasniqi.a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit