Transmetuar më 18-07-2013, 17:15

Alexei Navalny, një nga figurat  kryesore të opozitës në Rusi, u dënua me pesë vjet burgim. Ai u gjet fajtor për përvetësim fondesh në një çështje që përkrahësit e tij thonë se është e motivuar politikisht për të izoluar kritikun e ashpër të Kremlinit dhe për të kërcënuar përkrahësit e tij.

Dënimi u shqiptua nga gjykatësi Sergei Blinov në një gjykatë të Kirovit. Navalny u gjet fajtor për drejtimin e një grupi që kishte përvetësuar 16 milionë rubla, rreth 500 mijë dollarë, lëndë drusore nga kompania shtetërore Kirovlec në vitin 2009, kur punonte si këshilltar i guvernatorit të Kirovit, një qytet 760 km në lindje të Moskës.

Edhe personi tjetër që ishte akuzuar në këtë çështje, Pyotr Ofitserov u gjet fjator për përvetësim fondesh.

Ylia, bashkëshortja e udhëheqësit të opozitës, bëri thirrje për mbështetje popullore, ndërsa veprimtarët e opozitës marshuan pranë një burgu në Kirov. “Ne presim shumë mbështetjen tuaj. Tani është më e rëndësishme të vazhdojmë punë dhe të tregojmë solidaritetin me Pyotr-in dhe Alexei-n. Ne do të fitojmë dhe ju lutem më besoni se çdo gjë do të jetë e mrekullueshme më në fund”, tha ajo.

Avokatja e Navalny-t, Olga Mikhailova tha se vendimi nuk ndryshon aspak nga pretenca e prokurorit. “Së pari, vendimi ishte kopje, në disa raste fjalë për fjalë, e deklaratës së prokurorisë. Besoj se gjykata nuk shtoi asgjë në argumentet e prokurorit, pra gjithçka e krijuar në hollësi nga komisioni hetimor, u lexua sot në gjyq”.

Navalny kishte thënë prej kohësh se priste që të dënohej dhe në blogun e tij para se të nisej nga Moska për në Kirov, ai u shpreh me modesti për rëndësinë e tij në lëvizjen e opozitës. Gjatë katër vjetëve që filloi blogun për të ekspozuar korrupsion galopant në Rusi, juristi 37-vjeçar është bërë një figurë e shquar e opozitës që ka lindur.o.k/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit