Transmetuar më 18-07-2013, 12:25

Berat, 18 korrik 2013, NOA.al- Sokol Olldashi, kandidati për postin e kryetarit të Partisë Demokratike kërkoi nga baza e demokratëve të qëndrojnë larg spekullimeve që vektorë të së majtës po kërkojnë të prodhojnë në tentativë për të ndikuar në procesin e zgjedhjeve në Partinë Demokratike. Olldashi deklaroi në Lushnjë se ka një përpjekje të qartë të segmentëve të LSI-së për të ndërhyrë në këtë proces.

“Ka një përpjekje të tmerrshme nga vektorë të majtë, brenda shtypit shqiptar. Po ti shikoni takëmet e analistëve, të cilët nuk gjejnë kurrë asgjë, janë të njëjtët që e luftuan me të gjithë breshërinë e tyre Partinë Demokratike, para zgjedhjeve. Janë të njëjtët që tani po përpiqen të bëjnë diversion. Janë të njëjtët që na vodhën votat me paratë e pista që vodhën gjatë pushtetit tonë, të cilët po përpiqen të ndërhyjnë në këtë proces. Në Lushnjë, Berat dhe gjetkë ka një përpjekje të qartë edhe nga segmente të LSI-së për të ndërhyrë në këtë proces. Mbajini larg! Kjo parti është parti e demokratëve. Kjo parti është e grave dhe burrave të lirë që vendosin vetë me mendje të ftohtë se cila duhet të jetë e ardhmja e kësaj strukture, ku bëjnë pjesë të gjithë”, u shpreh Olldashi, citon Noa.al.

Gjatë takimeve në Lushnjë, Berat, Kuçovë dhe Poliçan, ai theksoi se zgjedhjet për pasuesin e liderit historik të demokratëve, janë një proces vlerash, një garë dinjitoze që i jep peshë vendim-marrjes së anëtarësisë.

Sokol Olldashi u bëri thirrje demokratëve të marrin pjesë në këtë proces dhe të gjithë bashkë të nisin veprimin më të fortë opozitar për të rikthyer Partinë Demokratike në shumicë politike.

Ndër të tjera shtoi, “Kjo parti nuk është krijuar për të ndenjur në opozitë. Demokratët nuk kanë asnjë minutë dhe asnjë ditë kohë për të humbur. Partia Demokratike ka një mision ende të pambyllur: misioni që ka nisur në vitin ‘90, kur është krijuar, misionin që e ka rimarrë në 2005-ën dhe e ka çuar deri në 2013 dhe misionin  që duhet të rimarrë me shpejtësi për të bërë Shqipërinë europiane, atë Shqipëri që kërkohej që ditën e parë të themelimit të saj”.

Sipas tij kundërshtari politik është thyer, pasi ende pa marrë pushtetin, koalicioni që ringjalli PPSH-në po rrëzon programin e vetë.

Aspiranti për të drejtuar PD nënvizoi ndër të tjera se, shqiptarët nuk do të pranojnë që themelet e shtetit të shkatërrohen nga blerja e votës dhe pazaret politike.a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit