Transmetuar më 17-07-2013, 16:51

Sipas raportit të fundit të Bankës Botërore në Kosovë del që 80% e popullsisë sonë jetojnë me më pak se 114 euro në muaj, që do të thotë se jetesa e 80% të qytetarëve të Kosovës nuk mundësohet as nga 2/3 e pagës minimale

Nga Albin Kurti

Salla e Kuvendit të Kosovës është me dysheme të pjerrët sikurse salla e teatrit apo kinemasë. Mund të gjenden edhe ngjashmëri të tjera me teatrin a kinemanë, mirëpo jo pa i ofenduar teatrin e kinemanë, andaj le ta lëmë qëmtimin e kësaj analogjie. Ose, më mirë, le ta vazhdojmë edhe vetëm në një element tjetër: para hyrjes në sallën ku mbahen seancat plenare ndodhet bufeja ashtu sikurse edhe te teatri e kinemaja. Për ta bërë gjithë këtë situatë edhe më interesante, salla e Kuvendit të Kosovës e ka edhe një bufe tjetër atje lart në daljen nga salla. Kësisoj, salla e Kuvendit të Kosovës ndodhet në sanduiç midis dy bufeve, njëra poshtë në hyrje dhe tjetra sipër tek dalja. Përderisa në teatër e kinema bufeja është e mbushur me njerëzit që presin të hyjnë në sallë për të parë shfaqjen a filmin, nuk është aspak kështu në rastin e bufeve të Kuvendit të Kosovës. Aty, më parë mund të thuhet që deputetët presin në sallë pikërisht para se të shkojnë në bufe. Nuk mund të shpjegohet ndryshe fakti se janë aq të shumtë ata përfaqësues të popullit që kalojnë më shumë kohë në bufe sesa në sallë ku mbahet mbledhja. Në këtë mënyrë, salla funksionon si linjë transitore midis dy bufeve. Bufetë janë stacionet ndërkaq salla është infrastruktura që i lidh ato. Vendi i deputetit është në sallë porse Kuvendi është në bufe. E thënë ndryshe, nuk është bufeja në Kuvend por Kuvendi është në bufe.

Por, jo vetëm kaq. Bufeja është edhe e vërteta e Kuvendit. Në tavolinat e bufesë shihen së bashku deputetët e pozitës e qeveritarët, në njërën anë, me deputetët konstruktivë të opozitës, në po të njëjtën anë. Pinë kafe e ndërrojnë llafe – diku një me një, diku një me dy a dy me një, e diku dy me dy apo edhe më shumë se kaq. Në sallë ulëset e pozitës dhe opozitës janë fizikisht të ndara prej njëra-tjetrës, mirëpo jo edhe në bufe. Kafeja është preteksti i përsosur formal që të zhdukësh kufirin që ndan pozitën me opozitën, e cila kështu bëhet opozitë konstruktive. (Ky konstruktivitet opozitar është konstruktivitet ndaj destruktivitetit qeveritar, gjë që sigurisht se është destruktive.) Çfarë flitet njëmend aty? Cilat janë fjalët që përzihen me avullin e kafesë dhe maskohen nga gjestet e kapjes së filxhanit apo hedhjes së sheqerit në të? Ndoshta flasin për projektligjet që po diskutohen në seancë? Ndoshta debatojnë për motivet dhe pasojat, vërtetësinë, drejtësinë a dobinë e ligjbërjeve të asaj dite? Jo, natyrisht se jo. Llafet e bufeve tregojnë që shumica e përfaqësuesve të popullit janë krejt pak politikanë e aq shumë biznesmenë. Zaten, nuk është e rastësishme që koalicionet për qeverisje midis subjekteve nisin si koalicione ekonomike e financiare të interesave të ngushta dhe jopublike për t’u formalizuar e kurorëzuar vetëm më pas në politikë dhe publikisht.

E, megjithatë, deputetët e Kuvendit dhe të bufeve, të bufeve dhe të Kuvendit, duket se ndodhen përherë para zgjedhjeve. Nuk është çështja sa mund të zgjedhin, por që duhet të zgjedhin. Ata vendosen vazhdimisht para zgjedhjeve që duhet të bëjnë e të cilat nuk i zgjedhin. Mund të zgjedhin porse jo nëse duan të zgjedhin. Mbase kjo do të mund të funksiononte si përkufizim për vetë konsumerizmin. Deputetët në Kosovë nuk marrin vendime por përzgjedhin oferta. Kjo do të thotë se ata nuk janë politikanë por konsumatorë. Përzgjedhin cilin amendament e votojnë, në cilin grup miqësie a komisioni parlamentar marrin pjesë, cilin kandidat për këtë bord agjencie apo atë ndërmarrje e favorizuan. Kësisoj, ata ndërtojnë identitet të tyre përmes akumulimit të zgjedhjeve që bëjnë por që s’janë vendime politike. Fundja, sot edhe liria është e depolitizuar: ajo është kufizuar te liria e lëvizjes së mallrave dhe të njerëzve, madje mu me këtë renditje e prioritet.

Me gjasë fjala e cila dëgjohet më së shpeshti në ato bufe është fjala shef. Është e mahnitshme qysh aq shumë deputetë e qeveritarë e thërrasin njëri-tjetrin shef, shërbehen me fjalën shef atëherë kur i adresohen njëri-tjetrit. Pra, shef i thotë njëri e me shef ia kthen tjetri. Edhe fjala angleze ‘chief’ edhe ajo ‘boss’ në gjuhën shqipe përkthehen njësoj: shef. Në anglisht ‘chief’ është ‘chief of a tribe’, pra i pari i fisit apo bajraktari. Ndërkaq, ‘boss’ është ‘boss of a company’, pra, pronar a menaxher i një ndërmarrjeje. Në këtë kontekst mund të thuhet që gjuha e shpalos qenien, se ajo e zbulon të vërtetën e politikës kosovare ku s’kemi kryetar (demokratik) por shef (fisi a biznesi).

Shumë qytetarë ankohen pse nga komuna a rajoni i tyre s’ka deputetë ose ka pak deputetë. Përveçse është shumë më e rëndësishme se çfarë deputetësh janë ata sesa prej nga vijnë, thelbësore është se nga çfarë shtresash shoqërore vijnë deputetët – p.sh. të varfrit s’janë fare të përfaqësuar kurse klasa e mesme është pak e përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës. E dimë që paga minimale në Kosovë është 175 euro (për pakicën e popullsisë që kanë fatin të jenë të punësuar). Sipas raportit të fundit të Bankës Botërore në Kosovë del që 80% e popullsisë sonë jetojnë me më pak se 114 euro në muaj, që do të thotë se jetesa e 80% të qytetarëve të Kosovës nuk mundësohet as nga 2/3 e pagës minimale! Këta njerëz nuk e kanë asnjë deputet, as në Kuvend e as në bufe, ama bash asnjë deputet. Klasa shoqërore dhe jo komuna a rajoni janë pakrahasimisht më thelbësore për përfaqësimin.

Prirja aktuale për ta mirëmbajtur procedurën demokratike në Kosovë është simptomë se demokracinë s’arrin ta gjesh kund në Kosovë përveçse (eventualisht) në procedurë. Ndoshta për shkak se procedura është ajo që duket? Ndoshta. Mirëpo, nëse përpiqesh ta shpëtosh demokracinë veçse në procedurë atëherë kjo është vetë procedura e mbytjes përfundimtare të demokracisë.

* Dërguar, nga autori, kryetar i Vetëvendosje

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit