Transmetuar më 17-07-2013, 13:55

A do të funksionojnë së bashku Lionel Mesi dhe Nejmar?

Është kjo pyetja që ka munduar tifozët e Barcelonës që pas ardhjes së sulmuesit brazilian dhe askush nuk mund të japë një përgjigje më mirë sesa vetë argjentinasi.

Siç transmeton supersport përpara gazetarëve, ylli Barcës foli për afrimin e talentit të Selesaos duke e cilësuar atë si një lojtar të jashtëzakonshëm:

“Nejmar është një futbollist i madh. Nuk besoj se do të kemi probleme për t’u përshtatur me njëri-tjetrin, aq më tepër që të dyve na pëlqen futbolli teknik.

Jashtë fushe gjithashtu është një njeri pozitiv, dhe do të shkojmë mirë bashkë”.

Mesi theksoi gjithashtu se ish-lojtari i Santosit do të ndihmojë akoma më shumë Barcelonën:

“Unë kam bindjen se ai do t’i japë shumë skuadrës. E kam ndjekur dhe kur luante më parë dhe është një futbollist që punon për ekipin.

Gjithashtu në lojën një për një është i pandalshëm. Jam i sigurtë se Nejmar do të dijë të bëjë diferencën me Barcelonën”.

Argjentinasi nuk kërkoi të komentonte konfliktin mes Tito Vilanovës dhe Pep Guardiolës duke theksuar se është një cështje që i takon atyre, ndërsa përsa i përket skuadrës së re të ish-trajnerit të tij, Mesi theksoi se Bajerni është një superskuadër:

“Vjet ata fituan gjithcka. Janë një ekip shumë i mirë, luajnë një futboll të bukur dhe këtë vit besoj se do të jenë sërish pretendentë për të fituar trofe.

Me ardhjen e Guardiolës besoj se do të përmirësohen akoma më shumë”.

Ylli i katalanasve në fund foli dhe për rivalët e kampionatit, Realin dhe Atletikon e Madridit:

“Reali është cdo vit i fortë. Kanë një trajner të ri shumë të mirë dhe shumë lojtarë cilësor.

Besoj se do të jetë bukur të rivalizojmë sërish këtë vit me ata. Atletiko ndërkohë humbi shërbimet e Falkaos por ka marrë një sulm po aq të mirë sa Vija.

Personalisht mendoj se do të jetë një kampionat me plot rivalitet”.

Ndeshjen e parë në Primera, Barcelona do ta luajë në shtëpi ndaj Levantes.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit