

Shqiptarët po përdorin makina gjithmonë e më të reja, duke hequr dorë nga të përdorurat prej shumë kohësh jashtë vendit. Burimet e drejtorisë së Transportit Rrugor, evidentojnë se nga importet e makinave në tërësinë e tyre gjatë këtij viti, është pikërisht viti më i ri i përdorimit të tyre.
Sipas tyre, në gjysmën e parë të këtij viti janë importuar në total rreth 25 mijë makina, që janë regjistruar për herë të parë në vendin tonë. Ku ndryshe nga vitet e mëparshëm, viti i prodhimit të makinave të blera nga qytetarët shqiptarë për këtë vit, ka qenë më i ri.
Pjesa më e madhe e tyre rezulton të jetë e importuar nga vende të Evropës Perëndimore, të tilla si Gjermania, Italia, Anglia, me vit prodhimi që përfshin periudhën kohore nga viti 2002, në vitin 2010.
Dhe vetëm një pjesë e vogël e tyre rezulton të jetë e papërdorur fare, pra me kilometrash zero.
Sa i përket ecurisë së importit të automjeteve në tërësi, ajo duket se paraqitet në të njëjtat nivele si një vit më parë. Kjo, po të kemi parasysh faktin se për gjithë vitin 2012 u regjistruan për herë të parë 47 mijë mjete.
Ndërsa në tërësinë e tij, 6-mujori i parë i vitit 2013 ka regjistruar gati gjysmën e kësaj shifre, prej 25 mijë makinash.
Referuar gjithmonë të dhënave të drejtorisë së Transportit Rrugor, në periudhën janar-qershor të këtij viti janë regjistruar rreth 20 mijë shitblerje automjetesh, sikundër numërohen edhe rreth 45 mijë veprime në total me mjetet në tërësinë e tyre.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





