Transmetuar më 16-07-2013, 22:45

Portugezi Rui Costa ngrin pretendentët e Tour de France duke fituar etapën e 16-të pas një arratie nga grupi kryesor, e cila përfundoi me avantazhin e rreth 12 minutave nga kryesuesi i klasifikimit, Christofer Froome.

26-vjeçari i skuadrës spanjolle, Movistar siguroi avantazhin e nevojshëm nga francezi Christophe Riblon, duke i mbyllur 168 kilometrat e etapës që nisi nga Vaison-la-Romaine dhe përfundoi në Gap, me 42 sekonda avancë, ndërsa Arnold Jeaneson e mbylli garën në vendin më të ulët të podiumit.

Por nëse lufta për fituesin nuk pati histori, gara u bë interesante mes kryesuesit të klasifikimit të përgjithshëm, Christofer Froome dhe rivalit të tij më të madh, Alberto Contador.

Spanjolli i Saxo Bank u përpoq të shkëputej disa herë nga dara e krijuar prej ekipit Sky, por u duk i pafuqishëm për t’u shkëputur nga grupi kryesor transmeton Supersport.

Tentativat e njëpasnjëshme të ish kampionit të Tour de France u sfumuan njëra pas tjetrës. Gjithsesi, pak kilometra larg finishit, Froome rrezikoi një aksident që mund ta kishte dëmtuar seriozisht.

Çiklisti i skuadrës Sky rrezikoi të dilte nga rruga në dishezë, çka mund të kishte shkaktuar edhe probleme për të.

Në klasifikimin e përgjithshëm, Froome kryeson me 4.14 minuta më pak ndaj rivalit holandez Bauke Mollema dhe 4 minuta e 25 sekonda ndaj Alberto Contador.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit