

Tiranë, NOA.al- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rrëzoi të martën, me 4 votat e anëtarëve të pranishëm, ankimimet e pesë subjekteve zgjedhore që kundërshtojnë rezultatet e votimit në qarkun e Fierit.
KQZ refuzoi ankesat e Partisë Aleanca për Barazi dhe Drejtësi Evropiane, të Partisë Popullore Kristiandemokrate të Shqipërisë, të kandidatit të pavarur Dritan Prifti, të Partisë Demokristiane dhe të Partisë Bashkimi Popullor i Pensionistëve Shqiptarë, duke lënë në fuqi vendimin e KQZ-së të datës 4 korrik për qarkun Fier, raporton Noa.al.
Pas shqyrtimit administrativ të çështjes, anëtarët e KQZ-së konstatuan se kërkesat ankimore nuk kanë bazë ligjore aq sa ta detyrojnë Komisionin që të investohet për të bërë rinumërim dhe rivlerësim të votave në një numër qendrash votimi të kësaj zone zgjedhore.
Sipas vendimit të KQZ-së, ndarja e 16 mandateve të qarkut të Fierit është: 11 mandate për koalicionin e majtë "Aleanca për Shqipërinë Evropiane" dhe 5 mandate për koalicionin e djathtë "Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim".o.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





