Transmetuar më 16-07-2013, 12:34

Tiranë, Noa.al – Partia Socialiste shpreh shqetësimin lidhur me situatën e krimit në vend. Saimir Tahiri tha sot në një komunikim me mediat se, Shqipëria është e zhytur në krim.

“Vendi po përjetoj një përshkallëzim kriminal të përmasave të papara ndonjëherë. Nga dhuna dhe vrasjet në familje, te larja e hesapeve mafioze e deri të rishfaqja e maskave dhe grabitjeve në rrugë, Shqipëria është zhytur nën thundrën e kriminalitetit”, theksoi ai.

Sipas Tahirit, bëhet fjalë për krime të paralajmëruara, të denoncuara ose krime aq evidente e të hapura, sa Policia e Shtetit duhet ti kishte ditur dhe ti kishte parandaluar përpara se të vinin pasojat fatale. “Megjithëse ka një Kryeministër e një Qeveri në detyrë, shteti është lënë si mall pa zot, qytetarët janë braktisur në mëshirë të fatit ndërsa Policia është kthyer në agjenci mortore që numëron viktimat”, u shpreh ai.

Ne jemi të bindur, tha Tahiri se qytetarët meritojnë një tranzicion paqësor të pushtetit, jo tranzicioni të përgjakur të pushtetit, me anarki, vetëgjyqësi, armë të përhapura në masë njëlloj si në vitin 97, e po kështu me vrasje, plagosje, grabitje, banda, dhe larje hesapesh.

“Ndaj i bëjmë sot thirrje të gjithë punonjësve dhe drejtuesve të ndershëm të Policisë së Shtetit: Ngrihuni në këmbë e bëni detyrën për të garantuar sigurinë publike dhe paprekshmërinë e qytetarëve shqiptarë! Tregoni se shteti është në këmbë pavarësisht se bien qeveritë! Tregoni se vetë Policia e Shtetit është në këmbë për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve”, tha Tahiri.

Sipas socialistëve, qytetarët shqiptarë kanë të drejtën absolute të jetojnë e të gëzojnë të qetë shëndetin, jetën dhe pronën e tyre dhe ne duhet ta garantojmë pa asnjë kusht.

“Pas shtatorit, do fillojë një kapitull i ri, edhe për Policinë e Shtetit. Por deri atëherë, mos braktisni ushtrimin e detyrës duke lënë qytetarët në mëshirë të krimit. Jepini qytetarëve shqiptar atë që meritojnë, qetësinë publike për të jetuar të lirë nga kërcënimi i krimit. Pas shtatorit, të gjithë bashkë, do rilindim shpirtin, misionin dhe fuqinë e shtetit ligjor, duke rilindur skuadrën e policisë së shtetit”, nënvizoi Tahiri.

Po ashtu nga këndi i komunikimit të Kryeministrit të zgjedhur, Tahiri iu drejtua kontingjentit kriminel në vend “ndaluni dhe bëni llogaritë mirë, koha që forca e ligjit të lajë llogaritë me ju vjen më shpejt sesa mendoni”, përfundoi Tahiri deklaratën e tij për shtyp.o.k/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit