

Kryeministi i Turqisë po heq një paralele mes grushtit ushtarak të shtetit në Turqi në vitin 1997 që përmbysi qeverinë e udhëhequr nga islamistët dhe zgjedhjeve të parakohshme si rezultat e trazirave të kohëve të fundit në Egjipt. Disa analistë në Turqi besojnë se reagimi i lëvizjes islamiste në vendin e tyre ndaj ndërhyrjes së ushtrisë mund të shërbejë si shembull i vlefshëm për Egjiptin.
Siç shkruan Zëri i Amerikës, Kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka qenë ndër kritikët kryesorë të përmbysjes së Presidentit të Egjiptit Mohamed Morsi nga ushtria.
Në një fjalim të javës së kaluar, ai dënoi përsëri ndërhyrjen e ushtrisë dhe iu referua historisë së Turqisë. Erdogan ka përvojë personale, pasi ai u përmbys kur ishte në postin e kryetarit të bashkisë së Stambollit në vitin 1997, kur ushtria largoi nga posti kryeministrin e parë islamist të Turqisë, Necmettin Erbakan.
Mustafa Akyol, autor i librit "Islami pa ekstreme”, thotë se reagimi i lëvizjes islamiste të Turqisë ndaj ndërhyrjes së ushtrisë, mund të shërbejë si shembull për Vëllazërinë Myslimane të Egjiptit.
"Ushtria orkestroi gjithçka, u dha udhëzime gjykatave për të hapur çështje kundër politikanëve islamikë apo komentatorëve politikë. Ajo mori nën kontroll universitetet dhe pushoi apo uli në pozitë profesorët me pikëpamje fetare. Tani politikanët që kanë qënë në shënjestër, si Erdogani, kanë marrë mësim. Ata e kuptojnë se retorika e ashpër, kërcënimet ndaj laikëve, sloganet anti perëndimore nuk i ndihmojnë. Ata morën mësim dhe u reformuan. Ata krijuan partinë AKP me një mesazh krejt tjetër”.
Por analistët thonë se ka një mësim nga Egjipti që Erdogan po e përqafon. Ashtu si Vëllazëria Myslimane, ai pretendon se është viktimë e konspiracionit kundër demokracisë dhe ai është zotuar se përgjigja ndaj atyre që e kanë organizuar këtë konspiracion do të jetë e fortë.o.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





