Transmetuar më 15-07-2013, 17:49

Lulzim Basha ka vijuar takimet e tij për garën si kandidat për kreun e Partisë Demokratike në njësitë bashkiake nr. 5, 6 dhe 7 në kryeqytet. Teksa ka prezantuar platformën, Basha është shprehur se çdo anëtar i PD-së do të vendosë përmes votës, për drejtuesit e partisë dhe kandidatët për zgjedhjet vendore dhe të përgjithshme.

“Të garantojmë jo vetëm që të dëgjohet zëri i çdo anëtari por të respektohet zëri i çdo anëtari. Çdo anëtar të ketë të drejtën që të ketë një zë të barabartë, pra një votë, në çdo vendimmarrje të rëndësishme të PD-së, nga niveli i organizimit deri në nivelin e përzgjedhjes së kandidaturave tona, për përballje lokale dhe qendrore”, u shpreh Basha.

Gjitashtu ai ka theksuar se PD-ja duhet të jetë në qendër të një fronti opozitar i cili të përfshijë përveç aleatëve historikë të kësaj partie, të gjithë të mashtruarit e mazhorancës së re.

“Duhet të jemi të gatshëm të nisim që sot aksionin tonë opozitar, me të gjithë aleatët tanë shoqërorë, me të persekutuarit, pronarët, me rininë, me botën akademike, me shoqërinë civile, me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe të fillojmë t’u faktojmë ditë për ditë zullumqarëve të 23 qershorit, se kanë përballë një forcë të gatshme për t’u përballur çdo çast me zullumin e tyre, por po kështu për të ofruar alternativën e së nesërmes”, tha ai.

Gjitashtu Basha u shpreh se mazhoranca e 23 qershorit është e vetmja në botën demokratike, e ndërtuar mbi mashtrimin dhe shitblerjen e votës, ku misioni i saj, siç po faktohet çdo ditë nuk është zhvillimi por zhbërja e arritjeve të këtij vendi.

“S’ka asnjë shtet, asnjë shoqëri në historinë e Evropës, që të jetë ndërtuar mbi dy vlera, mashtrime piramidale dhe shitblerje votash. U kemi lënë një vend me rrugë të reja, u kemi lënë një vend me rini të mirëarsimuar, u kemi lënë një vend me administratë funksionale. Në vend që të mendojnë se si të ecin më përpara, në raport me dëshirat e problemet e qytetarëve, mendojnë në mënyrën më absurde se si të zhbëjnë arritjet tona”, vijoi fjalën e tij Basha./a.h/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit